Klinika e Onkologjisë. Foto: Vlera Shabani/KALLXO.com
Përurohet objekti i rinovuar i Onkologjisë, Kurti e quan “investim substancial”
Nga mesi i muajit maj, pacientët shërbimet do t’i marrin në klinikën tashmë të rinovuar të Onkologjisë në të cilën ndër të tjerash janë shtuar edhe shtretër të rinj.
Me një investim prej 600 mijë euro, kjo klinikë është tjetërsuar në një pamje të re, pas punimeve të fundit që janë bërë në të.
Në përurimin e hapësirave të rinovuara të kësaj klinike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha që ky investim është substancial për të përmirësuar dukshëm jetën e qytetarëve, më saktësisht pacientëve që marrin ndihmën në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Për të, një investim aq i madh “e ka transformuar në mënyrë fort domethënëse për mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës që janë rreth 70, por para se të gjithash dhe mbi të gjitha për pacientët këtë klinikë aq të nevojshme dhe të dobishme.”
“I kanë pasur 45 shtretër, tash i kanë bërë 60 shtretër e që së shpejti do të jenë 110 shtretër”- shtoi Kurti gjatë përurimit m 20.05.2024.
Madje i befasuar, Kurti u shpreh që po mos të kishte hyrë nga dera kryesore e Klinikës së Onkologjisë, nuk do e kishte ditur se në cilën klinikë është nga ndryshimet e mëdha që janë bërë.
“Fakti që është thyer tavani dhe është ngritur për 30 centimetra e jo vetëm kaq, por ka edhe pastrim të ajrit me filtrim dhe klimatizim” – tha kryeministri.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se është shumë i lumtur pasi që tash pacientët marrin shërbime pa listë të pritjes në një klinikë kaq vitale.
Sipas tij, rinovimi i Klinikës së Onkologjisë është i jashtëzakonshëm dhe dinjitoz.
“Uroj të ketë më pak sëmundje të tilla. Rrallë kund edhe në rajon i kanë mundësitë të marrin shërbime të tilla modern”- u shpreh Vitia.
Ndër të tjerash, Kurti përmendi që me posedimin e akseleratorit, aparaturë e nevojshme për pacientët me tumor, me të cilën klinika ishte bërë në vitin 2023 e që i kushtoi buxhetit 1 milionë e 442 mijë euro, lista e pritjes është zero.
“Krahasuar me para 3 viteve, buxheti për listën e barnave esenciale është rritur nga 24 milionë euro në 60 milionë euro”- tha Kurti, duke shtuar se qytetarët e Kosovës blejnë 120 milion euro barna gjysmën e blejnë ata e gjysmën tjetër paguan shteti.
Kallxo.com më 19.05.2024 raportoi se ka më shumë se një muaj që njëri prej pacientëve të Onkologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk ka marrë medikamentin “Sorafenib”, i cili lufton kancerin. Pacienti vuan nga kanceri në veshkë.
Me të njëjtin problem, ai u përball edhe në dhjetor të vitit të shkuar, ndonëse shteti është i obliguar që t’ia sigurojë këtë terapi, pjesë e Listës së Barnave Esenciale.
Lista e çmimeve të barnave e miratuar më 15.05.2024, përcakton se çmimi i këtij produkti për shitje me pakicë është 2 mijë e 645 euro e 12 centë për një pako që ka 112 copë.
Në bazë të kësaj, çmimi i një tablete është rreth 23 euro. E për këtë pacient që i duhet të përdorë dy të tilla, do duhej që të harxhojë rreth 46 euro në ditë.