Mimoza Kusari-Lila / Lëvizja Vetëvendosje
Kusari-Lila: Nuk ka kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit
Shefja e deputetëve të partisë në pushtet-Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së partive opozitare për zgjedhje të reja.
“Kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit nuk ka. Ne jemi deklaruar si pozitë që në rast se ka unitet në grupet parlamentare të opozitës për shpërndaraje të Kuvendit ne e mbeshtesim. Megjithatë nuk mund ta bëjmë këtë vetëm me një grup parlamentar të opozitës. Opozita duhet të jetë e unifikuar”- tha ajo.
Në një deklarim pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila tha se në këtë takim u dakorduan për dy seanca gjatë kësaj jave.
“ E para për ditën e enjte që në agjendë ka vazhdimësinë e seancës së p përfunduar që u kërkuan marrëveshjet ndërkombëtare. Pastaj fillohet me sancën e rregulltë t 137 Kuvendit të Kosovës. Ju informoj që shqyrtimi i projekt rezolututës është bartur për ditën e premte ku fillojmë seancën me debat për tri vjet qeverisje”- theksoi Kusari-Lila.
Kryeministri, Albin Kurti më 14.05.2024 ka zhvilluar një darkë pune me partnerët e koalicionit qeverisës, përkatësisht me bashkëdrejtuesit e Partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Pecim si dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.
Në takim thuhet se u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor.
Në cilindo skenar, partnerët e koalicionit qeverisës, sipas kumtesës, janë shprehur të gatshëm dhe tërësisht të bindur se “vlerat e kultivuara të demokracisë dhe progresi i deritanishëm i Qeverisë do të vazhdojë bashkë me përcaktimin tonë për shtet demokratik të zhvilluar, me sundim të rendit dhe ligjit dhe për integrim në strukturat veri atlantike”.
Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja.
I pari që doli para mediave ishte kryetari i PDK-së, i cili tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.
Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë sonte më 13.05.2024, dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës.
Këto deklarata ngjallën edhe reagime të bllokut opozitar, AAK dhe LDK, dy parti që refuzuan takimin me kryeministrin.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.
Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.