Foto: Kallxo.com

Arsyetimi i Kryetarit, Pse u Plasarit Gypi i Ujësjellësit në Rahovec?

Emisioni Drejtësia në Kosovë sonte transmetoi hulumtimin që tregoi se si kanë shkuar huq mijëra euro të investuara nga Komuna e Rahovecit në rrjetin e ujësjellësit për pesë fshatra: Çifllak, Kramovik, Dobidol, Polluzhë dhe Guri i Kuq.

Ky projekt i kishte kushtuar buxhetit të Komunës mbi 412 mijë euro.

Siç tregoi hulumtimi i ekipit të Drejtësia në Kosovë, mbi 3 kilometra të gypit të instaluar është dashur të ndërrohen pasi vazhdimisht kishte plasaritje të tyre.

Kryetari aktual i komunës, Smajl Latifi, ka qenë kryetar edhe në kohën kur ishte instaluar rrjeti që është ndërruar në vitin 2012.

Mirëpo, siç transmetoi emisioni, kryetari Latifi e mohon se gypi është ndërruar për shkak të cilësisë së dobët.

Sipas tij, gypi është ndërruar pasi është dashur të zgjerohet rrejti nga pesë në shtatë fshatra.

“Arsyet e ndërrimit të gypit janë për t`i zgjeruar kapacitetet e furnizimit me ujë edhe në dy vendbanime të tjera. Fjala është për ndryshim të projektit. Gypi ka pëlcitur për shkak se është rritur kapaciteti furnizimit, ndërkohë që gypi nuk i ka përmbushur kërkesat e zgjerimit të rrjetit sepse po flasim është futur edhe Rakovina, njëkohësisht s`ka pasur ujë Polluzha, e deri vonë s`ka pasur ujë as në Guri të Kuq”, ka deklaruar Latifi.

Mirëpo siç tregoi hulumtimi, gypi kishte plasaritur ende pa shkuar uji në fshatin e katër dhe pesë, pasi edhe sot nuk ka shkuar uji në fshatin e shtatë siç pretendon kryetari Smajl Latifi.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” tregoi se gypi që ishte instaluar dhe pranuar teknikisht në kohën e qeverisjes së kryetarit Smajl Latifi kishte filluar të plasaritej menjëherë pas lëshimit të ujit dhe atë vetëm në tre fshatra, Kramovik, Cifllakë, Dobidol.

Pra uji ishte lëshuar në vitin 2014 vetëm në tre fshatra dhe gypi kishte pasur plasaritje të vazhdueshme

Deklaratën e kryetarit Latifi mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

 

Pas transmetimit të emisionit komuna e Rahovecit ka sqaruar opinionin me një letër Sqarimin e plotë mund ta lexoni këtu;Sqarim per Ujin e pijshem per Rahovec