Asambleja Komunale e Deçanit | Foto: Atdhe Mulla

Arsim Cenaj Mohon se Nxiti Urrejtje

Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Pejë ndaj Arsim Cenajt për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, zyrtari i akuzuar komunal i Deçanit foli për KALLXO.com.

Cenaj tha se ndihet i befasuar që iu ngrit aktakuza.

“Edhe qytetarët është mirë me vlerësuar vetë nëse është nxitje e urrejtjes pse unë me kërkua për eshtrat e prindit tim edhe të familjarëve të 86 personave të pagjetur që jam përgjegjës me vendim të Kryetarit të Komunës së Deçanit, atëherë nuk e di, po e lëshojmë këtë vend krejt,” tha Cenaj.

Ai akuzohet se më 1 dhjetor 2016 ka nxitur urrejtje dhe mosdurim gjatë një takimi në Asamblenë e Deçanit me persona të zhvendosur të komuniteteve serbe e malazeze.

i pandehuri A.C me datë 01.12.2015 rreth orës 10:00 në sallën e Asamblesë Komunale në Deçan, gjersa po mbahej një takim në lidhje me personat e zhvendosur të komunitetit serb dhe malazez… Personave të cilët kishin ardhur nga Serbia u drejtohet me fjalë të cilat konsiderohen si veprime të cilat nxisin urrejtje dhe mosdurim etnik”, thuhet në njoftimin për media të prokurorisë.

Por Cenaj tha se atë ditë nuk ka bërë veprime që nxisin urrejtje.

“Asnjë nxitje, askush nuk është ndjerë i kërcënuar, as nuk ka pasur ballafaqime fizike, asgjë. Jabllanoviqi ka dalë u ka thënë nënave tona egërsira dhe nuk ka dalë para prokurorisë. Thjesht, jam pa koment”, tha Cenaj për KALLXO.com.

Cenaj më 1 dhjetor ditën kur foli në takimin ku ishin të pranishëm serbë të zhvendosur, u arrestua nga policia, ndërsa atëherë iu caktua ndalimi policor prej 48 orësh.

Një ditë pas arrestimit të tij zyrtarët komunalë të Deçanit në krye me kryetarin e komunës Rasim Selmanajn kishin protestuar para Stacionit Policor të Deçanit në shenjë pakënaqësie për prangosjen e Cenajt.

Komuna në reagimin e saj kishte treguar se cilat fjalë i kishte thënë Cenaj para se të arrestohej.

“ Unë që 18 vjet jam në ankth sepse nuk e di ku i kam eshtrat e babit tim, po ashtu edhe familjarët e 84 personave të zhdukur nga Komuna e Deçanit janë në ankth, sepse nuk e dinë për fatin e familjarëve të tyre”, kishte thënë atëherë Cenaj para serbëve e malazezëve të zhvendosur nga Deçani.

http://kallxo.com/proteste-dhe-sqarim-per-ndalimin-e-asim-cenajt/