Arrestohet edhe Një Aktivist i Vetëvendosjes

Një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje është arrestuar sot në Prizren, ka konfirmuar ky subjekt politik.

Egzon Azemi, sipas Vetëvendosjes, është ndaluar nga policia për shkak të pjesëmarrjes në një protestë të dy viteve më parë kundër Kryetarit të Komunës së Prizrenit Ramadan Muja.

Megjithatë, Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit dhe në komandën qendrore në Prishtinë nuk ka folur për këtë arrestim, edhe pas shumë përpjekjeve gjatë ditës nga KALLXO.com.

Vetëvendosje thotë se aktivisti i tyre është arrestuar përderisa kryetari i Komunës së Prizrenit i cili, sipas tyre, duhet të jetë në burg, vazhdon të qëndrojë në liri.

“Ramadan Muja duhet të shkojë në burg, e jo aktivistët që protestuan kundër tij. Shteti ku hajnat dhe keqpërdoruesit e dënuar apo të padënuar vijojnë të rrinë në pushtet ndërsa protestuesit arrestohen, është shtet në shërbim të krimit”, thuhet ne njoftimin e Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje organeve te rendit qe t’i lirojnë aktivistët e tyre dhe “t’i arrestojnë zyrtarët e pushtetit kriminal” të cilët, sipas tyre, edhe pse formalisht janë të dënuar, vazhdojnë të qëndrojnë në krye të institucioneve.