Asambleja komunale e Prishtinës. Foto: Kallxo.com

Arbër Vokrri Bëhet Pjesë e Asamblesë së Prishtinës

Arbër Vokrri, kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet komunale të vitit të kaluar është bërë pjesë e asamblesë komunale në Komunën e Prishtinës.

Vokrri përmes një postimi në facebook ka njoftuar se do të jetë pjesë e asamblesë komunale në Prishtinë dhe e grupit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Miq të nderuar, gjatë këtij muaji do të zyrtarizohet pjesëmarrja ime në Kuvendin Komunal të Prishtinës, si asambleist i Lëvizjes Vetëvendosje”, shkroi Vokrri.

Ai është zotuar se do të jetë afër halleve të qytetarëve.

“Tani edhe më fuqishëm do t’i përçoj kërkesat, hallet, nevojat dhe brengat tuaja, e do ta përshpejtoj adresimin e tyre nga organet komunale. Do të angazhohem për një dinamikë më të madhe për realizim të projekteve dhe iniciativave në shërbim të qytetarëve dhe kryeqytetit”, ka shkruar Vokrri në facebook.

Vokrri do ta zëvendësojë në asamble Milot Podvoricën.

Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte 17 asamblistë në Kuvendin Komunal të Prishtinës tani ka vetëm shtatë- Vjosa Hamiti- Krasniqin, Egzon Azemin, Besnik Mujecin, Leonora Shabani-Bajraktarin, Eman Rrahmanin, Mirsad Vitinë dhe Abër Vokrrin.