Pas 9 ditë qëndrimi, largohet nga komuna e Leposaviqit zv/ministri i MAPL-së, Arbër Vokrri - VIDEO

Pas 9 ditësh qëndrimi në objektin e komunës së Leposaviqit sot është larguar nga aty zëvendësministri i pushtetit lokal, Arbër Vokrri.

Kështu ka bërë ai të ditur përmes një video adresimi në rrjetin e tij në Facebook ku u shpreh se me emocione të përziera u përshëndet me kryetarin, Lulzim Hetemi, i cili ka mbi 20 ditë që është brenda objektit të komunës.

“Dita e nëntë dhe e fundit e qëndrimit tim në Komunën e Leposaviqit, erdhi momenti të largohem dhe me emocione të përziera u përshëndeta me kryetarin e komunës, Lulzim Hetemi, burrë shumë stoik dhe i motivuar të vazhdojë deri në fund e të kryejë misionin faqebardhë”.

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka tash e më shumë se 20 ditë që po qëndron brenda objektit të kësaj komune.

Një nga kërkesat e serbëve gjatë protestave që kanë nisur që nga 26 maji, është që kryetari i tanishëm i Leposaviqit, Lulzim Hetemi të liroj këtë komunë pasi që ka hyrë me forcë dhe pa vullnetin e qytetarëve.

Që nga 26 maji, pra muajin e kaluar, në tri komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, më saktësisht Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, dhjetëra qytetarë kanë protestuar në mënyra të ndryshme pasi sipas tyre, kryetarët e zgjedhur në prill të këtij viti kanë uzurpuar me forcë hapësirat e objektit të komunës.

Kryetari i Partisë së Serbëve në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviq gjatë një interviste për KALLXO.com ka thënë se objekti komunal është shëndrruar në një apartament dhe që është i hapur vetëm për Hetemin.

“Unë di shumë shqiptarë të cilët i kemi punësuar në Komunën e Leposaviqit të cilët po ashtu nuk mund të punojnë për shkak se ndërtesa është e ndaluar për të gjithë përpos për kryetarin e porsazgjedhur i cili nuk e di me çfarë të drejte i kalon kaq netë në ndërtesën e Komunës. Ata tekstualisht e kanë shndërruar ndërtesën e Komunës në apartman hoteli i cili është i hapur vetëm për kryetarin e për askënd tjetër, bile as për zyrtarët e UNMIKut”- tha Jabllanoviq për KALLXO.com.

Kryetari i partisë së Serbëve në Kosovë: Komuna e Leposaviqit u bë apartament vetëm për kryetarin Lulzim Hetemi – VIDEO