Zv.ministri nga radhët e LVV-së, përkrahës i Shefqet Krasniqit, nuk e dinte që xhirohej ngjarja ku mori pjesë

Një ngjarje me shumë të ftuar ishte organizuar në fillim të muajit prill të këtij viti në njërin prej restoranteve në hyrje të Obiliqit.

Nikoqir ishte një hoxhë me nam në Kosovë, Shefqet Krasniqi.

Ai kishte shtruar një iftar, pas të cilit do të promovonte edhe librat e tij të rinj.

I ftuar në këtë ngjarje ishte edhe zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.

Madje, atij iu dha fjala të parit nga mysafirët.

“I nderuar nikoqir, prof. dr. hoxhë Shefqet Krasniqi, të nderuar vëllezër xhemat, selam alejkum e rahmetullah!” – përshëndeti zv.ministri në fillim të fjalimit të tij.

Ai tha se është kënaqësi e jashtëzakonshme të jetë në këtë mes dhe për të parë “çfarë kombinimi mbresëlënës jemi”.

Vokrri theksoi se në këtë ndejë ka parë kolegë mjekë, që kanë qenë dhe ende janë në fushën e politikëbërjës, analistë, profesorë të lëmenjve të ndryshëm, kolegë nga kabineti qeveritar.

Zëvendësministri ka folur edhe për islamin dhe misionin e islamit – “që fjalën e Allahut ta çojë në çdo shtëpi dhe të jetë pishtar i qytetërimit njerëzor, të jetë busulla morale dhe qytetërimore e krejt njerëzimit”.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në një deklarim për KALLXO.com tha se nuk e dinte që do t’i jepej fjala gjatë ngjarjes.

Gjithashtu, Vokrri tha se nuk ishte i ftuar si zv.ministër i MAPL-së por si individ.

“Ajo ka qenë një darkë private e Iftarit e organizuar nga hoxha Shefqet Krasniqi. Para se me pranu me shku aty, e shikova pak a shumë kush është i ftuar, a din struktura e njerëzve e pash që ka shumë intelektualë, pati edhe mjekë, kirurgë, thash masi po shkojnë këta, shkoj edhe unë” – tha ai.

“Nuk e kam ditë që kam me u ftu me folë diçka aty, as që xhirohet, as që publikohet. Ajo që kam thënë është keqinterpretuar dhe është përhapur jashtë kontrollit. Tu qenë organizim privat iu kam drejtuar hoxhallarëve, sepse shumica kanë qenë hoxhallarë, edhe pse ka pasë intelektualë, pra e kam marrë që atyre po u foli, jo ndonjë institucioni…” – tha tutje zëvendësministri Arbër Vokrri.

Arbër Vokrri është emëruar zv.ministër më 1 tetor 2022 nga kryeministri Albin Kurti.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të MAPL-së, ministrit Elbert Krasniqi dhe zyrës së kryeministrit, për të marrë një qëndrim rreth pjesëmarrijës së Vokrrit në ngjarjen e organizuar nga hoxha Shefqet Krasniqi, por deri në publikimin e këtij artikull, nuk janë përgjigjur.

Ndërsa, vetë Vokrri tha se qëndrimet e shprehura në fjalën gjatë iftarit, ishin të tij dhe nuk përfaqësojnë institucionin ku ai mban pozitën e zëvendësministrit.

“Nuk kanë qenë shprehje të ndonjë qëndrimi zyrtar, përfshirë edhe të MAPL-së, kanë qenë shprehje e bindjeve të mia që i kam shfaqur në një takim privat përballë një audience që kryesisht janë hoxhallarë. Qëndrimi që e kam deklaruar nuk është i institucionit por i imi, personal e privat” – tha ai.

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ditë më parë kishte reaguar ndaj fjalimit të Arbër Vokrrit në këtë ngjarje. Ai kishte kërkuar shkarkimin e zëvendësministrit.

“Shqiptarët janë rehat me fetë. Janë në vendin e tyre dhe në paqe. Nuk kanë pasë ndonjeherë misione, as me hënë, as me kryq. Nese Qeveria aktuale ka një të tillë duhet të tregojë. Ndryshe, shkarkim! Asnje sekond nuk arsyetohet me ky zv ministër” – kishte deklaruar Nushi.