Aprovohet me Vërejtje Buxheti i Komunave Veriore

Ky komision miratoi buxhetin e Komunës së Gllogovcit, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit.

Fikrim Damka, deputet i Grupit 6+ tha se ka vërejtje lidhur me punësimin e stafit në arsim në këto komuna.

“Ta marrim një shembull Zubin Potoku i cili ka gjithsej 6 mijë e 537 banorë, i ka 50 edukatorë për arsim parashkollor-çerdhe. Për shembull në Prizren gjithsej i kemi mbi 180 mijë banorë dhe gjithsej i kemi 65 edukatorë. Në Prizren një edukator mban mësim me 42 nxënës, a në Zubin Potok vjen për 2 nxënës. A e keni verifikuar stafin e komunave që i keni marrë, a veç i keni fut qysh ka ardhë prej komunave, qysh jon të punësuar në arsim,” tha Damka.

Sipas tij papunësia në komunat veriore është zero, ndërsa në Prizren vështirë mund të punësohet dikush.

Shqetësim tjetër për Damkën ishte edhe rroga mesatare e punëtorëve të arsimit në veri të vendit.

“A e keni llogarit ju si ministri se rroga mesatare në Leposaviq për arsimin fillor vjen 189 euro, a për arsimin parashkollor në komunën e njëjtë vjen afër 500 euro. Këtu janë disa mospërputhje me shifrat dhe punësimet në veri,” tha Damka.

Me Damkën në lidhje me pagat në veri u pajtua edhe deputetja e LDK-së Besa Gaxherri që tha se nuk guxohet të aprovohet diçka që është në kundërshtim me rregullat buxhetore të Republikës së Kosovës.

“Mendoj që ju duhet me hi urgjentisht në listën e pagave, sepse ju e dini që nuk mundet asnjë komunë me punësuar në arsim pa u pajtu edhe Ministria e Arsimit pa marrë parasysh që nuk janë grante nga qeveria. Dhe nuk mundet një arsimtar ose pedagog i arsimit parashkollor me pasë 500 euro pagë, e një punëtor tjetër i  arsimit të mesëm 200 ose 300. Kjo duhet me u rregullu,” tha Gaxherri.

Edhe deputeti i PDK-së Adem Grabovci tha së kolegët e tij i kanë të bazuara vërejtjet e dhëna, ndërsa propozoi që buxhetet të aprovohen bashkë me këto vërejtje.

“Integrimi për ne është shumë i rëndësishëm po na kushton dhe duhet një ditë tu vije fundi këtyre privilegjeve të tepruara,” tha Grabovci.

Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi tha se Ministria e Financave dhe qeveria kanë për obligim që t’i ndajnë grantet sipas formulave për të gjitha komunat.

Ai tha se kanë analizuar dhe e kanë vërejtur që ka gjëra të tilla që nuk janë logjike,  mirëpo sipas tij këto janë vendime të kuvendeve komunale.

“Ne kujdesemi që të gjitha komunat mu trajtu njësoj nga ndarja e granteve nga niveli qendror në nivelin komunal. U mbetet Kuvendeve Komunale që në momentin që ata janë të interesum dhe përfshihen në sistemin arsimor, ata duhet të detyrohen mi bo rregullimet që me qenë brenda kornizës dhe granteve,” tha Kransiqi.

Sa u përket pagave ai tha se nuk ka pagë 500 euro për një arsimtar diku dhe për një tjetër 300.

“Pagat janë të nivelizume. Pagat merren sipas nivelit që janë për pozita të caktuar. Sistemi nuk njeh pagë tjetër,” tha Krasniqi.

Ndryshe, buxheti i të gjitha këtyre komunave u aprovua.

Buxheti i komunës së Gllogovcit për vitin 2016 do të jetë 12 milionë e 710 mijë e 648 euro, Mitrovica Veriore do ta ketë buxhetin 4 milionë e 970 mijë e 882 euro, Komuna e Leposaviqit 3 milionë e 444 mijë e 718 euro, Komuna e Zubin-Potokut 1 milion e 853 mijë e 990 euro si dhe Komuna e Zveçanit 1 milion e 722 mijë e 224 euro.