Natalya Apostolova | Foto: KALLXO.com

Apostolova: Nuk Kemi Thënë se Nuk do të Ketë Liberalizim të Vizave më 2018

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha sot se as Zyra që e drejton ajo as BE-ja nuk kanë thënë se nuk do të ketë liberalizim të vizave më 2018.

Apostolova u pyet rreth kësaj çështjeje në një takim ku përmes video-linkut nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian u bë publik Raporti i Progresit për Kosovën.

“Kam dëgjuar në shtyp që është thënë se Zyra e BE-së ka thëne që nuk do të ketë liberalizim të vizave në vitin 2018 e kjo më pas është cituar edhe nga deputetët . Kjo nuk është e vërtetë sepse ne kemi qenë në takim dhe kemi diskutuar për arritjet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi Apostolova.

“Zyra jonë e as BE-ja nuk mund të bëjnë parashikime kur do të ndodhë liberalizimi sepse nuk varet nga ne”, shtoi ajo.