Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla - Foto: Facebook

Apeli i Vërteton Lirinë Azem Sylës

Azem Syla do të vazhdojë të qëndrojë në liri, pasi Gjykata e Apelit vërtetoi vendimin e themelores të marrë para gati dy javësh.

Më 25 gusht Azem Syla, por edhe Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, të pestët të dyshuar për tjetërsim të ish-pronave shoqërore, u liruan nga paraburgimi ku kishin qëndruar që nga fundi i prillit kur u arrestuan.

Atëherë gjyqtarja e EULEX-it Jennifer Seal vendosi ta lirojë Sylën mes tjerash me arsyetimin se pjesa më e madhe e hetimeve ndaj tij kanë përfunduar gjatë kohës sa ai mbahej prapa grilave, duke ia caktuar atij si masë sigurie paraqitjen në stacionin policor një herë në javë.

http://kallxo.com/arsyet-e-lirimit-te-azem-syles-nga-paraburgimi/

Ndaj këtij vendimi të gjykatës ishte ankuar në Gjykatën e Apelit prokurori Danilo Ceccarelli, duke kërkuar vazhdimin e paraburgimit për Sylën, Nuhi Ukën e Hajrullah Berishën deri në përfundim të hetimeve.

Kërkesën për paraburgim Ceccarelli e kishte bazuar në ndjeshmërinë e rastit, peshën e veprave për të cilat Syla dhe të tjerët dyshohen dhe rrezikun e ikjes së tyre.

Por Apeli e ka refuzuar kërkesën e prokurorit, duke e vlerësuar vendimin e gjyqtares Seal si “proporcional, të arsyeshëm dhe në përputhje me ligjin”.

Apeli në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com edhe pse nuk dyshon se Azem Syla “ka fonde të mjaftueshme për ta lehtësuar largimin jashtë vendit”, rrezikun e ikjes së tij të përmendur nga prokurori e vlerëson të pabazuar ngase sipas kësaj gjykate “kur policia e kanë kërkuar atë, ai vullnetarisht është kthyer nga Shqipëria për t’u përballur me gjyqësorin”.

Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla, Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Në atë aksion u kërkua, por nuk u gjet edhe ish-deputeti Azem Syla, i cili u dorëzua në polici dy ditë më vonë.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë tjetërsuar prona shtetërore në mënyrë joligjore në regjionin e Llapnasellës, për çka të gjithë të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm.