Seanca e rastit "Toka" | Foto: Kallxo.com

Sërish ndërpritet gjykimi në rastin 'Toka'

Rasti gjyqësor, i njohur si rasti “Toka”, doli në shesh tetë vite më parë, kur prokurorët e EULEX-it filluan ndjekjen penale ndaj Azem Sylës, që rezultoi me arrestimin e tij në prill të vitit 2016. Për këtë rast pos Azem Sylës janë të akuzuar edhe 17 persona të tjerë lidhur me tjetërsimin e pronave shoqërore.

Në seancën e mbajtur të mërkurën më datë 14.02.2024, mbrojta dhe të akuzuarit u deklaruan lidhur me konkretizimin e provave për të cilën Gjykata e kishte urdhëruar Prokurorinë ta bënte.

Pas kësaj, disa nga të akuzuarit dhe avokatët e tyre paraqitën propozime për administrim të provave të reja, si pasojë e të cilave seanca u ndërpre për të vendosur lidhur me këto propozime trupi gjykues.

Avokatja Adelina Hoxha e cila mbron të akuzuarin Shaban Syla, kërkoi që të administrohen si prova raporti i departamentit ligjor të agjencisë kadastrale si dhe raporti i prokurorit Faik Hoxha e Ruhan Saliu. Sipas avokates këto dokumente do të pasqyronin gjendjen faktike në terren.

Sipas avokates Hoxha, janë këto tri dokumente që përmenden në aktakuzë nga prokuroria por që nuk janë të propozuara që të administrohen si prova.

Propozim për administrimin e provave të reja kishte edhe Vidosav Novakoviq, i cili propozoi që të ftohen për të dëshmuar Nazim Bllaca, Zharko Bujoviq, Blazo Vujoviq dhe Fatmir Prapashtica.

Kurse Avokati Sylejman Nuredini i cili mbron të pandehurin Ramadan Mavraj, propozoi që të administrohet si provë materiale një ekspertizë financiare dhe të ftohet për të dëshmuar.

Lidhur me këto propozime të palëve gjyqtari Arben Hoti ndërpreu seancën për të vendosur lidhur me këto propozime për të cilat tha se do të njoftohen palët në seancën e së mërkurës së datës 14.02.2024.

Seanca e datës 05.02.2024 nuk ishte mbajtur pasi Gjykata e kishte urdhëruar Prokurorinë për të bërë konkretizimin e provave.

Për dështimet dhe shtyrjet e shumta të gjykimeve në rastin ‘Toka’ u diskutua të dielën më 11.02.2024 në Emisioni #KallxoPernime.

Sipas Prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar shtetit nga veprimet e të akuzuarve është dhjetëra milionësh.

Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të EULEX-it, por më pas lënda është bartur në duart e drejtësisë vendore.

Lënda është në duart e gjyqtarëve Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues), dhe Lutfi Shala e Mentor Bajraktari (anëtarë). Prokuror i rastit është Naim Abazi. Por që i njëjti në seancën e së mërkurës 14.02.2024 nuk ishte prezent, i njëjti u zëvendësua nga prokurorja Fikrie Fejzullahu.

Tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vë pikën këtij rasti maratonik pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.

Së bashku me Azem Sylën janë të akuzuar edhe 18 persona. Sipas organit të akuzës, të akuzuarit kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.

Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.

Azem Syla në prill të këtij viti mbush 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016-tën, kur ishte 65-vjeçar.

Në këtë rast përveç Sylës të akuzuar janë edhe Arton Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me rastin ‘Toka’ ju mund t`i lexoni duke klikuar në LINK