Kreshnik Gashi tregon skemën se si ndodhi falsifikimi i dokumenteve të gjykatës në rastin 'Toka'

Kreshnik Gashi, gazetar dhe redaktor menaxhues në KALLXO.com, ka përshkruar skemën se si kishte ndodhur falsifkimi i dokumenteve të gjykatës në rastin e njohur si “Toka”.

Për këtë proces u diskutua në emisionin “Kallxo Përnime” më 11.02.2024 se si nuk po arrin që të vazhdojë procesi gjyqësor për shkak të shtyrjes së seancave.

“Në vitet e 90-ta Jugosllavia e ka nxjerrë një ligj me të cilin pronat e njerëzve, pronarëve që ua ka marrë tokat ua ka rikthye. Prej vitit 90 deri në vitin 98-99 njerëzit që ju kanë marrë pronat në zonat prej tokave bujqësore  e kanë paditë shtetin për me i kthy këto prona. Këto lëndë kanë qenë të deponuara në Gjykatën  Komunale në Prishtinë. Prej pas luftës, vendimet që kanë qenë të vitit 90-93 me ata numra i kanë bo pronat e tjera”- tha Gashi.

Sipas Gashit, grupi ka ka qenë një ndërmarrje shoqërore të cilët i kanë marrë pronat dhe i kanë shtypë vendimet e reja në Gjykatën Komunale.

“…tash vendimin me të njëjtin numër i cili ka fol për një pronë të kthyme në Fushë Kosovë e kanë pru në Çagllavicë. Tash këtë dokumentin e ri i cili është i falsifikim i cili ka hy në arkivin e gjykatës e kanë marrë e kanë çu në zyrën e kadastrit edhe me qat vendim e kanë regjistru pronën ”- shtoi tutje ai.

Gashi tha se procesi ishte zhvilluar në emër të qytetarëve serbë.

Sipas Gashit, prokuroria e ka elaboruar se si një qytetar serbë i cili e ka fituar lëndën e tokës në Fushë Kosovë, me atë vendim e ka fituar lëndën e tokës edhe në Çagllavicë, por me numër tjetër të dokumentit.

Ai shtoi se nga këto veprime ka dhjetëra vendime që ju ka ndërruar numri dhe emri i lëndës dhe janë regjistruar në kadastër të Prishtinës.

Gazetari Gashi tutje ka shtuar se personat të cilët nuk mund t’i shfrytëzojnë tokat e tyre, për shkak se rasti i tyre ndodhet në proces gjyqësor, do të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti i Kosovës.

“Këta njerëz që kanë humbë para që s’mundem me tjetërsu pronën, s’munden me marrë kredi – kanë me ia lypë praprv paratë n’fund të ditës shtetit” – tha ai.

“Ata nuk kanë me shku me ia lyp paratë Azem Sylës nëse del i pafajshëm, po shtetit.”

Tutje Gashi shtoi se nëse i akuzuari, Azem Syla dhe grupi i tij që akuzohen, dalin fajtor, atëherë shteti është ai që do t’i kërkojë llogari Sylës.

“E nëse del i fajshëm, shteti ia kërkon llogarinë Azem Sylës, i cili përgjigjet për pasurinë e vet” – shtoi Gashi

Sipas Gashit dëmi që i është shkaktuar shtetit të Kosovës me këto prona, më 2016 del të jetë 30 milionë euro.

“Kur po flasim për 30 milionë, nuk po flasim për 30 milionë të sotit, por të 2016-ës që sot bëjnë 120 milionë”- tha Gashi.

Rasti gjyqësor, i njohur si rasti “Toka”, doli në shesh tetë vite më parë, kur prokurorët e EULEX-it filluan ndjekjen penale ndaj Azem Sylës, që rezultoi me arrestimin e tij në prill të vitit 2016.

Sipas Prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar shtetit nga veprimet e të akuzuarve është milionëshe.

Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të EULEX-it, por më pas lënda është bartur në duart e drejtësisë vendore.

Lënda është në duart e gjyqtarëve Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues), dhe Lutfi Shala e Mentor Bajraktari (anëtarë).

Prokuror i rastit është Naim Abazi.

Tash, tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vërë pikën këtij rasti maratonik pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.

Njëjtë ndodhi edhe më 5 shkurt të këtij viti, kur seanca nuk mundi të vazhdonte pasi disa mbrojtës u deklaruan se nuk kanë disa shkresa të Prokurorisë. Sipas tyre ato nuk i kanë marrë pasi që janë angazhuar vonë si avokatë.

Së bashku me Azem Sylën janë të akuzuar 18 persona që, sipas organit të akuzës, kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.

Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.

Azem Syla në prill të këtij viti mbush 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016, kur ishte 65-vjeçar.

Në këtë rast përveç Sylës të akuzuar janë edhe Arton Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO për rastin ‘Toka’ – LINK