Nënshkrimi i marrëveshjes për hapjen e pikës së re kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë në Stançiq – Foto: KALLXO.com

Anamorava i Gëzohet Pikës Kufitare të Stançiqit

Sipas nënkryetarit të Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, me këtë pikë kufitare rruga Gjilan-Kumanovë është për afro 50 kilometra më e shkurtë.

Marrëveshja për hapjen e kësaj pike kufitare e nënshkruan sot nga u.d. ministri i Jashtëm i Kosovës, Emanuel Demaj dhe dhe zëvendësministrja e Jashtme e Maqedonisë, Arta Toqi.

“Komuna e Gjilanit ka qenë e angazhuar prej fillimit në këtë proces dhe jemi marrë me shpronësimet, të cilat i kemi kryer me kohë”, tha për KALLXO.com nënkryetari Rexhep Kadriu.

“Nuk kemi pasë problem për shpronësim të tokave, janë kryer gjitha procedurat dhe jemi të gatshëm me fillimin e punimeve. Procedurat e tenderimit janë kryer nga Komisioni Europian dhe pritet të fillojnë punimet shumë shpejt”, shtoi ai.

Sipas Kadriut, hapja e pikës së re kufitare mes dy vendeve i afron shumë Gjilanin me Kumanovën.

“Përparësitë janë jashtëzakonisht të mëdha sepse qytetarët që kanë dashtë me ardhë nga Kumanova, ose ne me shku në Kumanovë, është dashtë me i kalu 87 kilometra. Ndërsa tash e kemi rrugën 37 km”, theksoi Kadriu.

Gjithashtu, sipas Kadriut, banorët që kanë lidhje familjare mes dy vendeve e kanë pritur  jashtëzakonisht mirë lajmin për hapjen e pikës së re të kufirit, e cila, sipas tij, deri në vitin e ardhshëm pritet që të funksionalizimet.

Fillimisht kjo pikë kufitare do të menaxhohet nga Komisioni Europian ndërsa nëpër të do të lejohet qarkullimi i automjeteve vetëm deri në 3.5 tonë.