Varret e masakrës së Srebrenicës. Foto: Wikimedia/Michael Büker

Amerika Dëbon Serbin e Kërkuar për Vrasje në Srebrenicë

Oficerë nga Zyra e Emigracionit dhe Doganave e Shteteve të Bashkuara, ICE, dhe Operacioni i Largimit, ERO, të hënën dëboi Srdjan Biliqin, 44 vjeç, i kërkuar për krime të dyshuara se janë kryer gjatë shërbimit të tij ushtarak në luftën boshnjake, konfirmoi ICE në një konferencë për shtyp.

Biliq mbërriti të martën në aeroportin Nikola Tesla në Beograd, Serbi, ku u mor nga agjencitë serbe të zbatimit të ligjit.

“Individë si Biliq duhet të përballen me drejtësinë. Ne do të punojmë me partnerët ndërkombëtarë për të nxjerrë para drejtësisë individët e kthyer”, tha Marc J Moore, drejtori i ERO për Majamin.

Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq masakruan më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë pasi morën qytetin e Srebrenicës në Bosnjën Lindore, i cili ishte mbushur me refugjatë myslimanë boshnjakë nga zona të tjera.

Edhe pse Serbia ka kërkuar ndjesë për masakrën e Srebrenicës, ajo nuk e pranon që ai ishte një gjest gjenocidi.

Komisioni i anti-diskriminimit i Këshillit të Europës tha në një raport të publikuar më 15 maj se Serbia duhet ta pranojë që masakra në fakt përbënte një akt gjenocidi.

ICE tha se Biliq kishte qenë një anëtar i Brigadës së Bratunacit të Ushtrisë së Republikës Srpska, një njësi që ndihmoi në vrasjet masive në Srebrenicë në korrik 1995.

“Rreth 8,000 burra dhe djem u ekzekutuan dhe 30,000 gra dhe fëmijë u dëbuan me dhunë nga zona në një krim që Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë vendosi zyrtarisht në vitin 2001 se ishte gjenocid”, tha ajo.

“Në vitin 2005, Kofi Annan, në atë kohë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, e etiketoi gjenocidin e Srebrenicës si krimin më të keq që kishte ndodhur në tokën europiane që prej Luftës së Dytë Botërore”, shtoi ai.

ICE tha gjithashtu se për shkak të natyrës së rëndë të akuzave kundër Biliqit, përpjekjet e zbatimit të ligjit ndaj tij janë mbështetur nga Qendra për Shkelësit e të Drejtave të Njeriut dhe Krimet e Luftës e ICE-së, HRVWCC.

E themeluar në vitin 2009 për të vazhduar përpjekjet e ICE-së për të gjurmuar dhe gjykuar abuzuesit e të Drejtave të Njeriut, HRVWCC shfrytëzon ekspertizën e një grupi të zgjedhur agjentësh, avokatësh, specialistësh inteligjence dhe hulumtimi, historianësh dhe analistësh që drejtojnë përpjekjet e agjencisë ndaj këtyre autorëve të supozuar.