Ilustrim

Historia e patreguar e muhaxhirëve të Sanxhakut të Nishit

Dimri i vitit 1877- 1878 do të jetë fatal për popullsinë shqiptare të rajonit të Sanxhaku të Nishit, atëherë nën Perandorinë Osmane.

Duke përfituar nga humbja e osmane në luftë kundër rusëve dhe kushtet e paqes, por edhe përkrahjen e fuqive evropiane të kohës, Principata Serbe (Pashallëku i Beogradit), nisi luftës kundër Perandorisë Osmane, duke sulmuar viset e Sanxhaku të Nishit.

Pa ndonjë rezistencë nga Ushtria Osmane, për pak muaj serbët pushtuan Nishin e qytetet tjera, Kurshumlinë, Prokuplën, Vranjën, Leskocin e Pirotin.

Ushtria serbe masakroi dhe dhunshëm shpërnguli pothuajse gjithë popullsinë e atij rajoni, pjesa dërmuese e së cilës ishte e etnisë shqiptare.

Hulumtimet e bëra nga studiuesit kosovarë në arkivat e huaja, sidomos ato evropiane flasin për krime të tmerrshme të kryera nga ushtria serbe.

Vendimit e Paqes së Shën Stefanit, e më pas të Kongresit të Berlinit, veç sa thelluan edhe më tragjeditë e popullsisë shqiptarë të viseve që u pushtuan nga Serbia.

Masakrat ndaj shqiptareve, pasojat e Kongresit të Berlinit

Jusuf Buxhovi, historian, shkrimtar e publicist, ka thënë për KALLXO.com se pas humbjes nga rusët, Perandoria Osmane u detyruan të bëjë koncesione të mëdha në dëm të territoreve shqiptare, ndërsa Kongresi i Berlinit, i përligji pushtimet e territoreve nga fqinjët.

“Kongresi i Berlinit, që filloi më 13 qershor 1878, e detyroi Rusinë të tërhiqet nga pushtimet e saj dhe të aleatëve të saj (bullgarëve), por pranoi pushtimet serbe në hapësirën Nish-Kurshumli, me ç’rast u pranua Serbia si shtet i pavarur bashkë me Malin e Zi, ndërsa Bullgarisë iu pranua autonomia e gjerë”, ka thënë ai.

Buxhovi shton se për këto ngjarje ka mjaftë dokumente në arkivat e huaja, sidomos në ato gjermane dhe austriake.

“Duhet sqaruar se në dokumentet e këtyre arkivave, nuk përmenden shqiptarët, si viktimë e luftës ruse-serbe e as ruse-osmane, por vetëm shtetasit e perandorisë osmane. Kjo ka të bëjë me faktin se popullata osmane nuk shënohej sipas kombësisë, po sipas besimit  (mileti-osman – ku bënin pjesë edhe shqiptarët e besimit islam) dhe  mileti-romej (të krishterët). Pra, në dokumentet meritore të arkivave gjermane, austriake dhe italiane po edhe të tjerave,  përmenden shtetasit osman si viktimë e këtyre luftërave si dhe shpërngulja e tyre e dhunshme drejt Kosovës dhe Turqisë”, thotë ai.

Këtu zë fill, thotë Buxhovi, edhe keqkuptimi se “shqiptarët nuk u përfillën në Kongresin e Berlinit qëllimisht” e të ngjashme, por anashkalohet fakti se ata nuk ishin të pranuar si komb, gjë që i përjashtonte nga çfarëdo trajtimi politik dhe diplomatik në Kongres.

Ndonëse sipas tij, në raportet diplomatike (të konsujve nga Ballkani) dhe ato të Vatikanit, përmenden shqiptarët si viktima të kësaj lufte, kjo nuk mjaftoi, që në aspektin diplomatik dhe politik çështja të legjitimohet në përputhje me të drejtën etnike dhe historike të tyre, siç do të ndodhë në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913, pasi që Shqipëria të shpallte pavarësinë më 28 nëntor 1912, prej nga shqiptarët u legjitimuan si komb.

Ballina e librit të Jusuf Buxhovit, ‘Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878’

Pasojat e atyre zhvillimeve dhe Kongresit të Berlinit, sipas Buxhovit ishin të mëdha. Serbia, që u pranua ndërkombëtarisht nuk respektoi vendimet e këtij Kongresi.

“Kongresi i Berlinit solli edhe tri vendime: i pari garantonte kthimin e popullatës së zhvendosur gjatë luftimeve në shtetin e quajtur Serbi, nëse ajo kthehej. Me vendimin e dytë, popullatës që nuk kthehej, i garantohej dëmshpërblimi i pronave. Ndërsa me vendimin e tretë, popullatës që nuk kthehej, por dëshironte t’i mbante pronat, ato u garantoheshin, me kusht që të dëshmoheshin me tapi valide”, ka thënë ai.

Por, shton më tej Buxhovi, kjo nuk ndodhi.

“Arsyet dhe shkaqet janë të shumta, ndër të cilat, gjithsesi kanë të bëjë edhe me marrëveshjet e fshehta të Perandorisë Osmane me Rusinë, që një pjesë të kësaj popullate ta zhvendoste në vilajetin e Kosovës (gjoja për ta forcuar atë) dhe një pjesë tjetër ta vendoste në Lindje, po ashtu për qëllime strategjike! Se këtu ka pasur qëllime të qarta të kësaj natyre, këtë e dëshmojnë edhe marrëveshjet jugosllavo-turke të viteve të tridhjeta për shpërnguljen e popullatës ‘turke’ në Turqi marrëveshjet për shkëmbimin e popullatës midis Turqisë dhe Greqisë, që shkuan në dëm të popullatës shqiptare në të dry drejtimet”, ka thënë Buxhovi.

Pavarësisht zhvillimeve dhe masakrave që po kryenin serbët në viset e pushtuara, fuqitë e kohës nuk bën gjë për t’i parandaluar.

Austro-Hungaria dhe Rusia, që kishin interesat e tyre në pjesë evropiane të Perandorisë Osmane, sipas Buxhovit bënin kujdes që luftërat e serbëve, grekëve, bullgarëve që mbroheshin nga Rusia, të mos preknin interesat e tyre jashtë marrëveshjeve që kishin qysh në takimin e vitit 1889.

“Ato ishin marrë vesh për ndarjen e katër vilajeteve: Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës fifti-fifti, pra përgjysmë, në çastin që Perandoria Osmane do të largohej nga pjesa evropiane”, ka potencuar ai.

Edhe pse të mbuluara me dokumente dhe lehtë të qasshme, historiografia shqiptare nuk ka bërë sa duhet për t’i ofruar publiku shqiptar atë se çfarë kishte ndodhur më 1877/78.

“Shqipëria dhe Kosova kanë pasur mundësi të krijojnë një ekip studiues në kuadër të Institutit të Historisë, për hulumtimin e gjithë problematikës që lidhet me këto luftëra, prej nga mund të nxirrej e vërteta për pasojat e saj, duke filluar nga shpërnguljet e deri te gjenocidet, siç ishin ato të viteve 1878, 1912 dhe 1919”, thotë Buxhovi.

Sipas tij, ajo që tashmë mund të bëhet është trajtimi shkencor i këtyre ngjarjeve në përputhje me dokumentet relevante që gjenden në arkivat gjermane, austriake, britanike, ruse, serbe osmane dhe të tjera.

“Ato që ka bërë Jusuf Osmani, Sabit Uka e ndonjë tjetër, duhet vlerësuar, por mbesin të shkëputura, nëse nuk hartohet një projekt shtetëror për trajtimin e tyre shkencor në përputhje me dokumentet e arkivave të fuqive të mëdha, që në mënyrë aktive ose të tërthortë, morën pjesë në proceset që përcollën krijimin e shteteve në hapësirën evropiane të Perandorisë Osmane nga kriza lindore e deri te luftërat ballkanike, kur mori fund pushtimi pesëqind vjeçar osman në këto hapësira”, ka thënë Buxhovi.

Bilanci, vrasjet dhe humbja e pronave

Bilanci i pushtimeve në vitet 1877/78 të zonave të Sanxhakut të Nishit nga Serbia, ishin të tmerrshme.

Jusuf Osmani thotë se ushtria serbe më ndihmën edhe të ushtrisë cariste të Rusisë dhe të disa shteteve evropiane, arriti të dëbojë më se 250,000 banorë shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit.

“Nga ai pushtim u vranë, pësuan nga të ftohtit dhe formave të tjera të terrorit më se 70,000 gra, fëmijë, pleq, por edhe burra që luftonin në mbrojtje të atdheut dhe familjeve të tyre”, ka thënë ai

Sipas tij, brenda një kohe të shkurtër u bë pastrimi etnik i më se 716 vendbanimeve, disa etnikisht me shqiptarë e disa të përziera.

Osmani ka thënë se për këtë dëshmojë arkivat e shumta sidomos ato britanike, turke, franceze, austriake, por dhe në studimet e shumë studiuesve të huaj dhe shqiptarë.

Por, ka shtuar se në disa dokumente heshtën ato krime, sidomos burimet serbe, janë tërësishm memece.

Osmani thotë se shumë pak është shkruar për pronat e shqiptarëve që kanë mbetura atje, si ato të tundshme e sidomos ato të patundshme.

“Duhet treguar opinionit ndërkombëtar se deri me tani, asgjë nga ato prona pronarëve të tyre nuk u është kompensuar. Brenda dy muajve u bë pastrimi etnik i territorit prej rreth 11,000 km² ku ka jetuar popullata shqiptare, më pastaj tërë ky territor brenda një periudhe të shkurtër u kolonizua me elementin sllavë. U vranë dhe vdiqën nga të ftohtit më se 70,000 banorë shqiptarë; tërë pasuria u plaçkitë dhe kurrë ajo nuk u kompensua; popullata e dëbuar u vendos në territorin e Kosovës dhe të Maqedonisë, në Turqisë e deri në Siri, Jordani”, ka thënë Osmani.

Ai ka nënvizuar se shumë prej fuqive të kohës, e përkrahën Serbinë.

Osmani ka thënë më tej se pak është bërë për të sensibilizuar opinion për atë çfarë ka ndodhur në vitet 1877/78.

“Dr. Sabit Uka në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, i pari iu qas kësaj teme dhe botoi 6 vepra për këtë. Si shoqëri dhe si shtet as pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999 nga institucionet tona shkencore kompetente, kjo temë nuk është trajtuar në mënyrë institucionale. Nuk është sensibilizuar çështja e kompensimit të pronave të popullatës së dëbuar. Sensibilizimi i kësaj çështjeje nga kryeministri Kurti është për t’u përshëndetur”, ka potencuar Osmani.

Popullsia e shpërngulur të asaj anë, në popull quhen muhaxhirët, për vuajtjet e të cilëve, Osmani thotë se duhet botuar vepra të shumta në gjuhë botërore dhe opinioni botëror, por edhe ai serb të informohet me të vërtetën.

Sipas tij, duhet të botohen tapitë e pronave të shqiptarëve dhe të popullatës tjetër myslimane të Sanxhakut të Nishit dhe të ndriçohet e vërteta për shtrirjen e shqiptarëve dhe strukturën e popullsisë në Sanxhakun e Nishit; të botohen defterët osmanë që kanë bërë regjistrimin e popullsisë dhe të pronave në Sanxhakun e Nishit. Po ashtu, ka shtuar ai, duhet të mbahen konferenca shkencor, botime e filma për ato ngjarje.

Ballina e librit të Bejtullah Destanit ‘Muhaxhirtë- Dosja britanike 1878-1884’

Dëshmitë nga arkivat britanike

Arkivat britanike ofrojnë mjaft të dhëna për ngjarjet e viteve 1877/78. Studiuesi Daut Dauti thotë për KALLXO.com se diplomatët britanikë në Serbi, kanë shënuar pothuaj të gjitha ndodhitë që rezultuan me përzënien e shqiptarëve nga trevat e tyre që sot njihen me emrin Serbia Jugore.

“Gould, përfaqësuesi diplomatik britanik në Beograd, ka qenë mjaft aktiv në kontaktet me qeverinë serbe duke u munduar që dëbimi i shqiptarëve të mos ndodhte, dhe kur ndodhi, ai u angazhua që shqiptarët të ktheheshin në pronat e tyre. Ka një mori dokumentesh që janë dërgesa diplomatike nga Serbia në Londër, ku shihet aktiviteti i diplomatëve britanikë. Ekzistojnë edhe raporte të posaçme për këto ngjarje që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe popujt tjerë joserb, që kanë jetuar në këto territore”, thotë ai.

Sipas tij, diplomatët britanikë përpiluan raport të gjerë ku përfshinte jetën në qytetin e Nishit, gjatë sundimit otoman dhe kohën kur ky qytet kishte kaluar nën sundimin serb.

“Raporti ishte i pajisur me detaje të shumta dhe shifra të cilat paraqitnin (përafërsisht) numrin e popullsisë që kishte jetuar dhe që jetonte në këtë qytet. Sipas këtij raporti, gjatë sundimit otoman, Nishi kishte 19,000 banorë. Diku rreth 10,000 ishin të krishterë, 8,000 myslimanë (këtu llogariteshin 1,500 shqiptarë, turq por edhe ushtarët e një garnizoni të vogël në qytet), 700 hebrenj dhe 300 çerkezë. Qyteti kishte 15 xhami, së bashku me 4 xhami brenda mureve të kalasë”, ka thënë ai.

Por, shton Dauti, raportet dëshmojë se pas pushtimit serb, qyteti pësoi ndryshime të mëdha, dhe sipas të dhënave në shtator të vitit 1879, kishte 13,000 banorë d.m.th. 6,000 banorë më pak se gjatë sundimit otoman, prej tyre 12,000 ishin serbë (2,000 më shumë se nën sundimin otoman). Ndërsa numri i myslimanëve të mbetur ishte 300, i hebrenjve 700 por nuk kishte mbetur asnjë çerkez.

Nga 15 xhamitë që ekzistonin, kishin mbetur vetëm 3 pa u rrënuar.

Shtëpitë që të dëbuarit kishin lënë në qytet, u ishin plaçkitur nga ushtarët, kurse myftiut të qytetit ia kishin plaçkitur edhe rrobat nga trupi.

Në tërësi u shkatërrua ‘Arnaut Bazari’ dhe ‘Arnaut Mahallesi’ (Tregu dhe Lagjja e Shqiptarëve) që gjendej në brigjet e lumit Nishavë.

“Kjo ishte pjesa më e bukur e qytetit që banohej nga shqiptarët dhe turqit por që u rrëzua përdhe pasi që pushteti i ri serb, e shpalli këtë pjesë si të “pasigurt” për banim. Një pjesë e madhe e shtëpive të joserbëve u shkatërruan, kinse për shkak të planit urbanistik. Situata ishte e njëjtë edhe në pjesën rurale të rrethit të Nishit. Diku rreth 100 çifligje (ferma) ishin okupuar nga serbët, të cilët refuzonin kthimin e tyre në duart e pronarëve ligjorë, që ishin turq ose shqiptarë”, ka thënë Dauti.

Ai thotë se një raport tjetër për keqtrajtimin e popullsisë joserbe, e kishte përgatitur edhe konsulli otoman, Nikollaides, ku flitet në veçanti dhe në detaje edhe për shqiptarët dhe pasuritë e tyre në qytetin dhe rrethinën e Nishit.

Raporti i Nikollaidesit, sipas studiuesit Dauti, përmban shifra edhe të banorëve shqiptarë, të 87 fshatrave të rrethit të Leshkofçes (sot Leskovac – serbisht). Sipas këtij raporti, numri i banorëve shqiptarë në 87 fshatra ishte 16,327 të cilët kishin jetuar në 2,445 shtëpi. Prej tyre ende jetonin në pasuritë e veta 1,954 veta kurse ishin shpërngulur 13,862. Të vrarë nga serbët apo të vdekur në burgjet serbe ishin 511 veta.

Sa i përket Toplicës ose Prokuples, sipas raportit, ekzistonin 72 fshatra shqiptare me 1,785 shtëpi që kishte një popullsi prej 13,289 banorëve. Numri i atyre që ishin shpërngulur ishte 12,468 kurse 771 ishin vrarë në luftë me serbët.

“Rajoni i Kurshumlisë kishte 68 fshatra shqiptare me 1,563 shtëpi dhe 12,734 banorë. Prej tyre 11,924 banorë ishin shpërngulur kurse 810 kishin vdekur në luftë”, ka thënë studiuesi Daut Dauti.

Ai thotë se shtypi evropian nuk dështoi në shënimin e masakrave që u serbët ushtruan ndaj shqiptarëve por qeveritë evropiane nuk ndërmorën ndonjë veprim që do të ndikonin në parandalim.

Dauti ka thënë se fuqitë e kohës nuk bënë as presion të duhur ndaj Serbisë, për kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre apo të kompensoheshin nëse nuk ktheheshin që në fillim ishte një iniciativë e përkrahur nga britanikët, por që u harrua.

Ballina e librit të Daut Dautit ‘Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880’