Albulena Haxhiu Kritikon Buxhetin e Planifikuar për Drejtësinë

Gjatë diskutimit për Projektbuxhetin 2018, deputetja Albulena Haxhiu tha se duke parë buxhetin që i është ndarë Ministrisë së Drejtësisë, as Qeveria Haradinaj nuk do të ketë qasje tjetër për sistemin e drejtësisë.

“Sa më i dobët financiarisht aq më shumë i kontrollueshëm e i anshëm bëhet sistemi i drejtësisë. Nëse një Qeveri ka synim këtë sistem, kjo fillimisht do të duhej të reflektohej në buxhet”, tha deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo përkujtoi se për sistemin e drejtësisë janë ndarë vetëm 30 milionë euro më shumë.

“Është tepër pak. I bie as 1% e buxhetit”, tha ajo.

“Siç po shkon puna me këtë Qeveri, shumë më i madh do të jetë numri i zëvendësministrave se i prokurorëve e shumë më i madh do të jetë numri i këshilltarëve të tyre se numri i gjyqtarëve”, theksoi deputetja Albulena Haxhiu.

Gjatë prezantimit të Projektbuxhetit 2018, ministri i Financave tha se në vitin e ardhshëm rritja ekonomike e Kosovës do të jetë 4.6 për qind.

KALLXO.com është duke e transmetuar LIVE seancën e sotme të Kuvendit.