Shqyrtimi i ankesave për vrasjen në tentativë | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Vrasje në Tentativë Bëhet Fqinj me të Dëmtuarin

Edison Bytyqi, të cilin sipas aktakuzës tentoi ta vrasë Nazmi Bega, u ankua në gjykatë se i akuzuari ka blerë një objekt ngjitur me pronën e tij.

“Po ndihem i rrezikuar sepse në mezhde me mua e ka blerë një objekt dhe moralisht kur je në bela me dikë i qëndron sa më larg dhe ai ka ardhur në një objekt ngjit me mua “, tha Bytyqi.

Bytyqi këtë informatë e tregoi gjatë shqyrtimit të ankesës së tij në Gjykatën e Apelit, ndaj dënimit që më parë iu shqiptua Begës.

Bytyqi kërkon dënim më të lartë për Begën, ndërsa gjithashtu edhe Bega është ankuar në Apel duke kërkuar lirimin e tij.

Isuf Bytyqi, avokati i Edison Bytyqit, tha se Bega e ka kryer me dashje vrasjen në tentativë- veprën për të cilën akuzohet.

“Nazmi Bega e deshti veprën dhe tentoi që ta çojë deri në fund  ndaj klientit tim”, tha avokati Bytyqi.

Avokati i të akuzuarit Bega, Bajram Tmava, tha që ankesa e palës së dëmtuar është e palejuar, sepse ata mund të ankohen vetëm mbi lartësinë e dënimit, por jo edhe ndaj gjendjes faktike apo dashjes.

Tmava në ankesën e tij tha se atij do t’i mbesin disa dilema profesionale lidhur me këtë rast.

“Pse policia nuk e ka sjellë asnjëherë briskun  në gjykatë? Dokumentacioni mjekësor nuk është në dosje, ndërsa nuk është qartësuar se cili ka qenë motivi i të mbrojturit tim që ka qenë atë natë aty”, tha Tmava.

I akuzuari Bega mbështeti avokatin e tij teksa deklaroi pafajësinë duke e quajtur të dëmtuarin si dëshmitar.

Gjykata Themelore ne Ferizaj në mars të këtij viti e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 3 vjet burg Nazmi Begën nën akuzën e veprës vrasja në tentativë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Bega më datën 25 gusht 2015 rreth orës 23 e 15 në Ferizaj ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Edison Bytyqi, ndërsa sipas prokurorisë motivi i kësaj ngjarje ishte një borxh prej 5 mijë eurove.

Lidhur me këtë rast Gjykata e Apelit do të vendosë jashtë shqyrtimit gjyqësor.