Shpallja e vendimit ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit (03.10.2022), Foto: KALLXO.com

Të akuzuarin në rastin e ‘53 milionëshit’, Apeli vendosi ta çojë në burg për rast tjetër penal

Njërit nga katër të akuzuarit në rastit e 53 milionëshit, Besim Tahirit i është vërtetuar aktgjykimi dënues në një çështje tjetër penale.

Bëhet fjalë për rastin në të cilin Besim Tahiri së bashku me Xhelil Bekteshin ishin dënuar nga Gjykata e shkallës së parë më 03.10.2022, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Tahiri si ushtrues i detyrës së drejtorit në divizionin e prokurimit në MI sipas prokurorisë akuzohet se kishte ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit brenda Ministrisë së Infrastrukturës që të ndërronte një raport vlerësimi të një tenderi dhe duke e detyruar atë që të tërhiqet nga komisioni me qëllim që tenderi t`i jepej një kompanie tjetër edhe pse çmimi ishte më i shtrejtë.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se derisa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Gjykata Themelore e udhëhequr nga Gjyqtarja Fatime Dermaku kishte marrë vendim më 03.10.2022 që Besim Tahirit t`i shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh kurse të pandehurit Xhelil Bekteshi t`i shqiptoj dënim në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Apeli ka marrë vendim që Tahirit t`ia zbres dënimin për një vit, kurse ndryshime nuk ka bërë për të akuzuarin Xhelil Bekteshi.

“Gjykata e Apelit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtësve të akuzuarit B. T., av. Adem Vokshi dhe av. Florin Lata, përkitazi me vendimin mbi dënimin, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PKR.nr.155/22, të datës 30.09.2022, e ka ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin, ashtu që të akuzuarit B. T., për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK, e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, duke e lënë pjesën tjetër të aktgjykimit të pandryshuar”- thuhet në vendimin e Apelit të datës 12.03.2024.

Pjesa tjetër e aktgjykimit të themelores ka mbetur e pandryshuar me të cilin dy të akuzuarve iu kishte ndaluar ushtrimin e funksionit në administratë publike prej 2 vitesh secilit veç e veç, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Me aktgjykimin e Themelores të akuzuarit ishin detyruar që t`i bënin kompensimin e dëmit, Ministrisë së Infrastrukturës t’ia kompensojnë shumën prej 29,828 euro.

Me këtë  vendim, Kolegji i Apelit në përbërje: Bashkim Hyseni, kryetar i kolegjit, Vaton Durguti dhe Afërdita Bytyçi, kanë marrë vendim që Besim Tahiri dhe Xhelil Bekteshi të të shkojnë në vuajtje të dënimit me burgim.

Kujtojmë që Tahiri është i akuzuar edhe në rastin e 53 milionëshit, për të cilin rast ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj dënim me burgim dhe 2 vite ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Më 29 janar të vitit 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se derisa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se Bekteshi e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) V. R. që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë – Kijevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016, në vend të datës reale 26.06.2016.

Sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik me çmim të lartë 991,418 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Ndërsa për të akuzuarin Besim Tahiri, aktakuza thotë se në cilësinë e personit zyrtar, si ushtrues i detyrës së drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat për të ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erëza Arifi. Në aktakuzë thuhet që asaj i ishte kërkuar ta ndërrojë raportin e vlerësimit të tenderit të datës 02.05.2016, duke e obliguar atë të paraqes kërkesë me shkrim që të tërhiqet nga komisioni dhe të bëhet ndryshimi i vendimit i datës 29.04.2016, me qëllim që tenderi t’i jepej kompanisë “Sallahu” edhe pse për nga çmimi ishte më i shtrenjtë.

Lidhur me këtë rast Gjykata e Prishtinës, Bekteshin e Tahirin i ka shpallur fajtorë për veprën për të cilën janë akuzuar, por që rasti është kthyer në rigjykim.

Raportimet nga KALLXO.com – LINK