Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Fajde: Më Kërcënuan Kur Dola nga Prokuroria

Në gjykimin e Kqirajve dhe të tjerëve për krim të organizuar, fajde e vepra tjera, i akuzuari i këtij procesi Ekrem Leci ndërroi deklaratën e dhënë më 3 gusht 2015.

Leci ndryshoi deklaratën në momentin kur prokurorja Merita Bina- Rugova e pyeti nëse do t’i tregojë sot në gjykatë ato që Leci kishte premtuar t’i thotë në deklaratën e dhënë në Prokurorinë Speciale.

I akuzuari pastaj tregoi se tri orë pasi e kishte dalë nga zyrat e prokurorisë ishte ftuar nga personat që tha se u kishte borxh, të cilët deklaroi se e kishin kërcënuar.

Leci bëri të ditur se u takua në një restorant- kazino me disa persona- të akuzuarin Ragip Fazlija, por edhe personat M. T. e N. K., ndërsa tregoi se M. T. i tha atij pse po shkon po na lajmëron në Prokurorinë Speciale?

Leci rrëfeu më tutje se i tha M. T. kush të tha ty?, ndërsa M. T. ia kishte kthyer ”unë i kam njerëzit e mi aty dhe krejt ke kallxu çka ka ndodhë në hotelin tim”.

I akuzuari Leci deklaroi pastaj se ka luajtur në një kazino në të cilën kur i ka humbur 30 mijë euro ia ka lënë si garanci pronarit të kësaj kazinoje veturën e tij BMW X6.

Pastaj tha se për ta paguar borxhin në kazino i kishte marrë 10 mijë euro te Tunë Kqira dhe ia kishte dërguar pronarit të kazinos, me premtimin se do t’ia sillte edhe 20 mijë euro tjera brenda 10 ditësh.

Leci tha se i kishte borxh 400 mijë euro të akuzuarit tjetër të këtij procesi Ragip Fazlisë.

Në gjykimin për fajde dhe vepra tjera nuk ishte i pranishëm dëshmitari Luz Kajtazi.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani kishte kërkuar nga policia përcaktimin e vendndodhjes së Kajtazit dhe kishte marrë përgjigjen se ai nuk jeton aty ku mendohej.

Sipas policisë, ky dëshmitar bashkë me anëtarë të familjes së tij mund të jetë duke jetuar në Kroaci.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

Sipas prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Seanca tjetër e këtij gjykimi do të zhvillohet më 30 nëntor.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.