Pamje nga votimet më 11 qershor - Foto: KALLXO.com

Aktakuzë për Ryshfet në Lidhje me Votimin

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.K. i ka premtuar përfitim të pamerituar personit tjetër me qëllim që ta ndikojë atë person për të votuar në favor të një personi.

Në aktakuzë thuhet se më 10.06.2017, në një lokal në Prizren, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Republikës së Kosovës, i pandehuri personin F.B. e bind që të dalë në vendvotim dhe të votojë për kandidatin për deputet B.K.

Për këtë shërbim i pandehuri i premtoi se do t’ia paguajë 15 euro.

Me këtë rast ai i ofroi kartelën e kandidatit të lartpërmendur për deputet me dy numra, njëri numër i subjektit politik dhe tjetri i vetë kandidatit, pastaj edhe lapsin kimik me video-kamerë me ngjyrë të zezë për ta incizuar – fotografuar aktin e votimit për kandidatin gjegjës.

Me këto veprime, i pandehuri F.K. ka kryer veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin nga neni 215 paragrafi 1, i Kodit Penat të Republikës së Kosovës.”

Ndërsa, sipas aktakuzës, i pandehuri F.B., ka pranuar ofertën apo premtimin për përfitim të pamerituar për vete, për të votuar në favor të një personi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 11.06.2017 shkon në vendvotimin përkatës të Qendrës së Votimit, të vendosur në shkollën e mesme teknike “11 Marsi” në Prizren dhe me lapsin kimik me video-kamerë, kryen aktin e votimit për kandidatin e lartpërmendur  për  deputet,  me ç‘rast zbulohet nga vëzhguesi i vendvotimit përkatës,

Me këto veprime, i pandehuri F.B. ka kryer veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin nga neni 215 paragrafi 2, i Kodit Penat të Republikës së Kosovës”, njofton në një komunikatë Këshilli Prokurorial i Kosovës.