Gjykimi i ish-kryeshefit të KPM-së për ryshfet, Prokuroria prezanton pamjet e dorëzimit të 8 mijë eurove

Në gjykimin e ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifit, i akuzuar se ka kërkuar dhe marrë ryshfet, Prokuroria si provë ka shfaqur pamjet e incizuara të momentit kur Elhami Haziri ia dorëzon Arben Bilallit 8 mijë euro.

Arben Bilalli ishte drejtor i administratës dhe financave në KPM.

Ndërsa, Elhami Haziri – pronar i kompanisë “TelKos”.

Sipas Prokurorisë, shuma prej 8 mijë eurosh do të përfundonte në xhepin e Luan Latifit.

Bilalli kishte pranuar fajësinë ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm. Pastaj ishte veçuar procedura ndaj Bilallit.

Arben Bilalli ishte gjetur fajtor për veprën penale – marrja e ryshfetit dhe ishte dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë.

Gjykata i ka shqiptuar Bilallit edhe dënimin plotësues – ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në administratës publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Në seancën e sotme janë administruar provat materiale të cilat ishin propozuar nga Prokuroria.

Ndër këto prova, Prokuroria kishte propozuar një CD dhe USB me audio-incizime të bisedave të ndodhura në lidhje me Luan Latifin mes Elhami Hazirit, pronar i “TelKos”, dhe Arben Bilallit.

Sipas Prokurorisë, në këto incizime vërehet kryerja e veprës penale.

Prokuroria deklaroi se në video-incizim është momenti kur Elhami Haziri ia dorëzon 8,000 euro Arben Bilallit.

Sipas Prokurorisë, këto para “destinacion final” e kishin të akuzuarin Luan Latifi.

Po ashtu, në seancë janë dëgjuar edhe disa audio-incizime mes Arben Bilallit dhe pronarëve të “TelKos”.

Në njërën prej tyre, Elhami Haziri përmend hapjen e një televizioni dhe Arben Bilalli thotë: ‘’Po bre Luani më tha, qysh tha po thu jo janë tu dashtë me ba TV’’.

Sipas prokurores Merrushe Llugiqi, provat e administruara sot vërtetojnë se Arben Bilalli dhe Luan Latifi kanë qenë në koordinim dhe në dijeni të plotë lidhur me të gjitha bisedat dhe takimet që janë zhvilluar me pronarët e “TelKos”.

Avokati mbrojtës i të pandehurit Latifi, Driton Musliu, deklaroi që duke iu referuar video-incizimit të fundit, e kundërshtojnë këtë provë për nga aspekti i përmbajtjes materiale dhe procedurale.

Ndërkaq avokati mbrojtës i të dëmtuarit Elhami Haziri, Naim Rudari, lidhur me kundërshtimin e provave nga ana e mbrojtjes së të pandehurit Latifi deklaroi se këto kundërshtime janë të pabaza sepse këto prova materiale janë të ligjshme dhe të pandryshueshme dhe janë të sakta dhe në përputhje me të gjitha bisedat telefonike që janë zhvilluar mes Luan Latifit dhe Arben Bilallit.

Avokati mbrojtës i të pandehurit Latifi ia dorëzoi provat e listuara trupit gjykues dhe Prokurorisë për administrim të mëtutjeshëm. Trupi gjykues aprovoi provat e listuara nga pala mbrojtëse.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më 28 shtator.