'10 mijë janë për mua, 2 mijë për kompaninë', rrëfimi i dëshmitarit në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin 'Subvencionet'

Prokuroria Speciale në shkurt të viit të kaluar ka ngritur aktakuzë ndaj Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Syla, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurramanii, Afrim Abazi, Florim Nimanaj, të ngrkuar me veprat penale që ndërlidhen me keqpërdorimet me subvencione.

Në seancën e sotme ndaj të pandehurve u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues Flamur Zeqiri.

Ky dëshmitar para trupit gjykues të përbërë nga Kujtim Krasniqi, kryetar dhe Lutfi Shala e Valon Kurtaj – anëtarë deklaroi se ka përfituar subvencione në vlerë mbi 54 mijë euro.

Ai deklaroi  se për subvencione kishte aplikuar pasi ishte pajisur me certifikatë nga kompania “Bio-C-Check”.

Dëshmitari tha se pasi i kishte pranuar në xhirollogari paratë e subvencionit, i’a kishte dhënë të akuzuarit Salih Statovci, shumën e parave prej 12 mijë e 750 eurosh.

Përmes “viberit” , i akuzuari Luan Statovci – duke qenë në pozitën e drejtorit të pagesave direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, sipas dëshmitarit, i kishte thënë se 10 mijë euro janë për mua, 2 mijë për kompaninë”.

Parcela tokësore për të cilën dëshmitari ka përfituar subvencionin ka qenë në sipërfaqe prej 54.75 ha, tha se është pronë familjare dhe i’a kishin dhënë me qera familjarëve më të largët.

Se toka nuk ka qenë e mbjellur me kulturë bujqësore, respektivisht bime aromatike bujqësore, dëshmitari tha se nuk ka qenë në dijeni deri kur e kishte marrë vesh në prokurori përmes provave që ia kishte paraqitur prokurori.

Vërejtje ndaj dëshmisë së dëshmitarit Zeqiri, pati mbrojtja e Luan Statovcit, avokati Naim Rudari, dhe mbrojtja e Salih Statovcit, avokati Tahir Rrecaj.

Sipas avokatëve ai nuk ishte i sigurt mbi identitetin e personave që e kishin kontaktuar ose kontaktin direkt me të akuzuarit.

“Deklarimet e tij i ka bërë për të përfituar në dënimet e veprave penale që i ka kry dhe është dënu”- u shpreh avokati Rrecaj në seancë.

Përveç mbrojtjes, vërejtje ndaj dëshmisë së dëshmitarit bashkëpunues Zeqiri, shprehu edhe i akuzuari Almir Abdurramani.

“Edhe unë mendoj që dëshmitari bashkëpunues nuk ka qenë i sinqertë dhe nuk ka thënë të vërtetën” – u shpreh Abdurramani.

Më 19 qershor ora 13:15 pritet të mbahet seanca e radhës, ku do të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve, Bekim Shala dhe Kastriot Berisha.

Sipas dosjes së prokurorisë të pandehurit Jeton Sylaj, Luan Statovci dhe Hasan Maxharraj, ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i autoritetit zyrtar”, kurse mbi Maxharrajn rëndon edhe akuza për “Mashtrim me subvencione”.

Mbi të pandehurin Luan Statovci rëndojnë edhe akuzat për “Marrje Ryshfeti“ në bashkëkryerje me Sadat Shkodrën, kurse Florim Nimonaj ngarkohet me “Dhënie ryshfeti”.

Për veprën “Falsifikim i Dokumenteve” ngarkohen të pandehurit Almir Abdurramani dhe Salih Statovci.

Raportimet e ngjashme nga KALLXO.com – LINK