Foto-ilustrim

Aktakuzë për Krim të Organizuar Kundër 3 Personave

Prokuroria Speciale njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.B., O.B. dhe S.B., për shkak se kanë kryer  veprën penale  krimi i organizuar lidhur me detyrim.

Sipas aktakuzës, të pandehurit në bashkëkryerje me tashmë të ndjerin R.Sh., i cili është vrarë në gusht të vitit 2014, si dhe me disa persona të tjerë, ende të paidentifikuar, si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore shumëvjeçare kanë kryer një varg të krimeve të rënda penale me qëllim të përfitimit të dobisë financiare.

Të pandehurit kanë bërë presione të vazhdueshme si dhe kërcënime të rënda ndaj të dëmtuarve M.T., H.Sh. dhe  I.O., që ta lirojnë pronën e patundshme – ngastrën kadastrale me sipërfaqe prej 10.12.53 ha, e cila gjendet në Fushë-Kosovë, rruga për Prishtinë, në vlerë prej rreth 20 milionë euro.

Pronar legjitim i kësaj toke është kombinati “Bujqësia”, ndërsa i dëmtuari M.T., 14 vite më parë atë tokë e ka marrë me qira dhe në të ka ndërtuar disa objekte, po ashtu me vlerë milionëshe.

Si rezultat i veprës penale, në mars 2014 i dëmtuari M.T., ka qenë i detyruar që të largohet nga prona e tij dhe të pandehurit ia kanë ndaluar edhe qasjen fizike në objektet e tij.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se grupi i njëjtë kriminal, në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me të dëmtuarin A.H, pronar i ngastrës e cila kufizohet me ngastrën e cekur më lartë, të cilin e kanë detyruar që t’ia paguajë 165.000 €.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit gjenden në paraburgim.