Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Aktakuzë Arkëtarit të ‘Hidroregjionit Jugor’

Arkëtari i kësaj kompanie me inicialet B.H., sipas një komunikate të Prokurorisë së Shtetit akuzohet për përvetësim në detyrë

“Sipas aktakuzës, i pandehuri nga muaji tetor i vitit 2015 e deri në muajin shkurt 2016 në Dragash me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës dhe pozitës së tij zyrtare,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria në komunikatë saktëson edhe shumën që dyshohet se e përvetësoi i akuzuari.

“I njëjti duke ushtruar detyrën e arkëtarit në Njësinë punuese të “Hidroregjionit Jugor” në Dragash, kohë pas kohe ka marrë dhe ka përvetësuar nga arka shuma të caktuara parash, të cilat kanë arritur shumën totale prej 3,306.29 €,” thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.