Raporti nga Demokraci Plus: Prokuroria nuk ndjek penalisht rastet e falsifikimit të dokumenteve në prokurim

Organizata Demokraci Plus (D+) sot ka publikuar hulumtimin ‘Mungesa e ndjekjes penale për rastet e falsifikimit të dokumenteve publike në proceset e prokurimit publik’, përmes të cilit kanë thënë se Prokuroria e Shtetit nuk ndjek penalisht rastet kur ka falsifikim të dokumenteve në prokurimin publik.

Kjo formë e korrupsionit, ka thënë D+, përveç që shkel Ligjin e Prokurimit Publik, paraqet edhe vepër penale sipas Kodit Penal.

“Ligji i Prokurimit Publik ndëshkon veprimet si falsifikimi i dokumenteve dhe deklarimi i rremë, dhe obligon Organin Shqyrtues të Prokurimit të diskualifikoj operatorët ekonomikë nga pjesëmarrja në aktivitete të prokurimit publik, por duhet pasur parasysh se Kodi Penal i Republikës së Kosovës i parasheh si vepra penale këto veprime dhe i sanksionon deri në pesë vite burgim” – tha Egzona Kozhani, hulumtuese e prokurimit publik në D+.

Sipas këtij hulumtimi, nga 1 janari i vitit 2021 e deri në 1 nëntor 2023, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), ka diskualifikuar 30 operatorë ekonomik nga pjesëmarrja në prokurimin publik, mbi bazën se këta operatorë kishin prezantuar të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara.

Ardit Dragusha, po ashtu hulumtues në D+, ka thënë se ky numër nuk është i lartë pasi që bëhet fjalë për një periudhë tre vjeçare.

“Autoritetet kontraktuese, të cilat kanë mandat të iniciojnë kërkesa për diskualifikim hezitojnë të bëjnë këtë edhe në rastet kur konfirmohen falsifikimet. Përveç kësaj, OShP, merr shumë kohë në publikimin e vendimeve, ku në tri rastet e fundit të diskualifikimit, i janë dashur mesatarisht 492 ditë që të vendos për kërkesat”- ka thënë ai.

Demokraci Plus ka thënë se me qëllim të luftimit të kësaj forme të korrupsionit, duhet të kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe proaktive, me prokurorinë që duhet të trajtojë dhe hetojë secilin rast të diskualifikimit në prokurim publik.

“Nevoja për hetim penal shërben edhe si rikujtim për operatorët e tjerë ekonomikë, se nuk mund të ketë amnisti penale ndaj praktikave korruptive dhe këto veprime ligjore do ta forcojnë integritetin e procesit të prokurimit publik në përgjithësi”- thuhet në hulumtimin e publikuar sot nga D+.

Hulumtimin e plotë mund ta gjeni KËTU.