Ilustrim: Naser Fejza

Prokuroria kërkon caktimin e paraburgimit për Mentor Beqirin dhe Amir Osmanin

Prokuroria e Shtetit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit Amir Osmani, djali i Ismet Osmanit, i njohur si ‘Curri’ dhe të dyshuarit tjetër, Mentor Beqiri.

Amir Osmani dhe Mentor Beqiri janë arrestuar më 16.04.2024 në Graçanicë dhe po dyshohen për veprën penale Vrasje e Rëndë në Tentativë.

Këtë e ka konfirmuar për KALXLO.com, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Sipas raportit policor në datën e lartcekur, rreth orës 15:00, nga një veturë në lëvizje me shpejtësi të madhe është shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture tjetër, po ashtu në lëvizje. Më pas është shkaktuar aksident mes dy veturave.

Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’rast e ka takuar të dyshuarin në afërsi të veturës së tij, i cili vullnetarisht e ka dorëzuar një pistoletë me leje.

Njësitet policore të forenzikës në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 5 gëzhoja nga arma e zjarrit.

Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Të shtëna me armë zjarri në Graçanicë, dy persona janë shoqëruar në stacionin policor