Aksioni në veri, prokuroria kërkon paraburgim për 6 të ndaluarit

Prokuroria e Mitorvicës ka kërkuar caktimin e masës së parburgimit për gjashtë të ndaluarit gjatë aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit

Sipas prokurorisë për të dyshuarit P.M, D.D, T.M, M.M, I.M dhe M.O, ekziston dyshimi i bazuar se dje rreth orës 09.00 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me dashje dhe me veprime të përbashkëta, me qëllim të pamundësimit të Policisë së Kosovës kanë penguar lëvizjen e veturave policore.

Më këtë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Pengim i personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Tutje në njoftimin e prokurorisë thuhet se të njëjtit kanë përdorur forcën fizike duke vendosur në rrugë mjete të ndryshme si kamionë, drunj, goma për të ua pamundësuar zyrtarëve policore kryerjen e detyrave zyrtare sipas autorizimeve ligjore në zbatim të planit operativ të zbulimit dhe kapjes së kryesve potencialë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Ndërsa pavarësisht paralajmërimit që ta lirojnë rrugën, të dyshuarit nuk u janë bindur urdhërave të ligjshëm duke i detyruar zyrtarët policorë ta kryejnë detyrën e tyre zyrtare, me ç`rast të njëjtit edhe janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjashtë të dyshuarit e arrestuar ditën e martë me datën 28 maj me urdhër të prokurorit për momentin gjenden në ndalim 48 orësh.