Akademi Ndërmarrësie për Integrim Ekonomik

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha se integrimi evropian nuk mund të arrihet vetëm në dimensionin politik, por në rend të parë ky integrim duhet të jetë ekonomik.

“Kur bisedohet për integrimin ekonomik, besoj që internacionalizimi i ndërmarrësisë është një ndër prioritetet kryesore. Në këtë drejtim besoj që kjo akademi do të jetë një derë e hapur e ngritjes së kapaciteteve të ndërmarrësve kosovarë që të jenë të barabartë në sfida, qoftë në dimensione bilaterale, qoftë në dimension regjional, qoftë në dimensionin evropian dhe më gjerë,” tha Gërxhaliu.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) Arsim Bajrami foli për kontributin dhe bashkëpunimin në futjen e frymës së ndërmarrësisë tek të rinjtë.

“Bashkë me ministrin Abrashi ne jemi mbështetës të fuqishëm të projekteve të futjes të frymës së ndërmarrësisë në Kosovë, sepse një akademi e ndërmarrësisë do të ndihmojë shumë në ndërrimin e mentalitetit të të rinjve tanë, nxënësve tanë, studentëve tanë që te këta të japim mbështetjen për ëndrrën që të jenë ndërmarrës të suksesshëm,” tha Bajrami.

Në paraqitjen e projektit të akademisë foli edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi.

“Ne kemi filluar një projekt i cili përafron kërkesat e tregut të punës edhe të sistemit arsimor, por kjo merr pak kohë. Është mirë që është fillu pas shumë viteve në mënyrë që të ndikojmë në këtë hendek të shkathtësive që është shumë i madh, atëherë projektet si ky me të vërtetë e bëjnë rolin e vet,“ theksoi Abrashi.

Klaus Dieter Werthmann nga Oda Zejtare e Dortmundit njoftoi për përpjekjet e dy odave në ndërtimin e Akademisë dhe tha se ky projekt do të institucionalizohet në vitin e ardhshëm.

“ Kohë të gjatë jemi përpjekur dhe kemi punuar së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës që ta ngremë në këmbë akademinë e ndërmarrësisë dhe ne shpresojmë shumë se duke ia filluar prej vitit të ardhshëm ne nuk do të punojmë ma tutje me një projekt të tillë, por më shumë më një institucionalizim të këtij projekti dhe ta quajmë institut,” njoftoi  Werthmann.

Qëllimi i aftësisë konkurruese, fuqisë përfituese dhe besueshmërisë afatgjatë dhe kreditimit, kombinimi i punëtorive të ndërmarrjeve, i vizitave individuale tek ndërmarrjet dhe shkëmbimi i përvojave është qëllimi i këtij projekti.