Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Odës Ekonomike: Viti 2022 do të jetë shumë më sfidues se viti 2021

Për disa arsye, ekonomia kosovare do të ketë më shumë telashe përgjatë vitit 2022 se në vitin e kaluar.

Kështu ka vlerësuar kryetari i Odës Ekonomie të Kosovës, Berat Rukiqi.

Sipas Rukiqit, konsumi do të shënojë rënie dhe norma e rritjes ekonomike po ashtu, pasi sipas tij nuk do të përsëritet vera e vitit 2021, që siç e quan ai, ishte infuzioni kryesor për shumë ndërmarrje i ardhur nga diaspora.

“Nuk do të përsëritet vera e vitit 2021, që ishte infuzioni kryesor për shumë ndërmarrje (i ardhur nga diaspora), të dërmuara nga pandemia; konsumi do të shënojë rënie, rrjedhimisht edhe norma e rritjes ekonomike do të jetë në rënie”, ka shkruar Rukiqi.

“Ky dimër do të jetë më i “gjatë” se tjerët, marrë parasysh problemet me furnizimin dhe çmimet e energjisë elektrike dhe çmimet e rritura në pothuajse të gjithë lëndët e para dhe produktet finale, nga kategoritë e produkteve që ne i importojmë”, vlerëson ai.

I pari i Odës Ekonomike ka folur edhe për sektorin privat. Ai tha se kufizimet duhet të vihen vetëm për ata që nuk vaksinohen.

“Paparashikueshmëria me pandeminë do të vazhdojë të sjell kokëqarje për sektorin privat. Sektori privat ende nuk arrin të kuptoj, çka është vlera e vaksinimit me dy dhe tre doza, nëse të njëjtat nuk garantojnë liri të veprimit dhe kryerjes të aktivitetit biznesor. Çdo masë për kontrollimin e pandemisë, duhet të kufizoj të pavaksinuarit e jo ata qe me shume zell e respektuan thirrjen për vaksinim”, thotë ai.

Si arsyen e katërt, Rukiqi përmend fuqinë punëtore, që sipas tij, ky problem do të rritet përgjatë këtij viti.

“Do të rritet problemi me fuqinë punëtore. Mosgjetja e punëtoreve me shkathtësi të caktuara është si problem në rritje për të gjithë sektorët. Nëse kjo problematike vazhdon, ne do të kemi probleme serioze me aftësinë konkurruese për eksport dhe investime”, thotë ai.

Në fund, Rukuqi ka parashtruar edhe një rekomandim për institucionet e vendit.

“Qeveria, Parlamenti dhe të gjitha institucionet duhet të jenë të hapura për dialog me sektorin privat, në adresimin e këtyre temave por edhe shumë çështjeve tjera me rëndësi jetike për zhvillimin e vendit”, ka thënë ai.