Foto: Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, X

Ambasadori amerikan takon drejtuesit e Odave Ekonomike në Kosovë e Serbi

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier është takuar me drejtuesit e Odës Ekonomike në Kosovë dhe Dhomës së Tregtisë në Serbi, me të cilët ka folur për bashkëpunimin mes komuniteteve në biznes.

Në fotografinë e shpërndarë nga Hovenier, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë serbe, Marko Çadezh e vetë ambasadori shihen duke shtrënguar duart të buzëqeshur.

“Bisedë e mirë me drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Dhomës së Tregtisë të Serbisë mbi mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të biznesit kosovar dhe serb në Kosovë dhe Serbi. Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve do të rrisë stabilitetin dhe prosperitetin rajonal” – ka shkruar Hovenier në rrjetin social X.

Ndërkohë, sot (25.03.2024) është duke u mbajtur një takim trepalësh mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar.

Ky takim është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacione me para të gatshme, e cila ka hyrë në fuqi më 01.02.2024 e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ambasadori Hovenier gjatë një takimi me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, më 20.03.2024 ka përkujtuar se SHBA-ja kërkon ndryshimin e mënyrës së zbatimit të kësaj rregulloreje.