Vazhdon rritja e çmimit të produkteve esenciale në Kosovë

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Çmimi për një litër vaj ushqimor sot shkon deri në 2,29 euro, pese kilogramë miell deri në 4,15 euro, pesë kilogramë sheqer deri në 4,20 euro.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin shkurt 2022 në Kosovë çmimi për një litër vaj ishte 1.69 euro, çmimi për një kilogramë miell ishte 0.66 euro, ndersa çmimi për një kilogram sheqer 0.87 euro.

Çmimi i vajit ushqimor, 09.03.2022/ Foto: KALLXO.com.

Në disa dyqane, afër paketimeve të vajit dhe miellit shkruan që produkti është i limituar dhe qytetarëve u lejohet të blejnë vetëm një pako vaj ushqimor dhe dy pako miell.

09.03.2022/ Foto: KALLXO.com
09.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Lidhur me rritjen e çmimeve të bukës dhe miellit, Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, tha sot se çmimet aktuale të tregut që janë në Kosovë janë shumë më të lira se në rajon.

Ndërsa Muhamet Farizi nga kjo shoqatë tha se sot kanë pasur një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe kanë konstatuar se Kosova ka sasi të konsiderueshme të grurit.

“Ka sasi të konsiderueshme që edhe për tre muaj tjerë të bluhen dhe të furnizohet popullata”, ka thënë Farizi.

Ata thanë Kosova nuk importon grurë dhe miell nga Rusia dhe Ukraina.

Çmimi i miellit. 09.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Ndërsa çmimi për pesë kilogramë sheqer sot në disa prej dyqaneve të Kosovës shkon deri në 4, 20 euro.

Çmimi i sheqerit. 09.03.2022/ Foto: KALLXO.com

Përveç rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, në pikat e karburanteve në Kosovë çmimi i naftës ka shënuar rritje rekorde në ditët e fundit.

Përderisa me 6 mars 2022, në pikat e karburanteve çmimi i naftës ka qenë më së shumti 1.58 euro, brenda tri ditëve, çmimi është rritur për më shumë se 10 centë.

KALLXO.com para tri ditëve raportoi se çmimet e naftës silleshin prej 1.54 euro deri në 1.58 euro, ndërsa sot çmimi është ngritur deri në 1.75 euro.

Çmimi i naftes, 09.03.2022. Foto: KALLXO.com

Për këtë rritje të çmimit të karburantit, KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e kësaj shoqate, Fadil Berjani, i cili ka thënë se trendet e ngritjes nuk kanë të ndalur dhe se nuk po ndodh vetëm në Kosovë por edhe në Evropë.

“Sot derivatet në Kosovë po shiten nga 1.65 euro deri në 1.70 euro. Çmimi furnizues sot i riu del 1.78 euro. Ky është një treg i egër, lufta e ka bërë të vetën dhe nuk po ndodh (rritja) veç në Kosovë por edhe në Evropë. Çmimet për qytetarët tanë janë të larta, por kjo nuk varet nga Shoqata e Naftëtarëve. Varet nga bursa, si ka rënë çmimi i benzinës në bursë, ka rënë edhe në Kosovë, benzina është më e lirë se nafta për 10 centë”, ka sqaruar Berjani për KALLXO.com.

Berjani gjithashtu tha se rezervat shtetërore të naftës mund të jenë maksimumi për dhjetë ditë.

Lidhur me ndikimin e rritjes së çmimeve të këtyre produkteve në jetën e qytetarëve të Kosovës, profesori i ekonomisë Safet Gërxhaliu në një përgjigje për KALLXO.com, tha se kjo krizë e ka zanafillën qysh nga pandemia COVID-19.

“Është e vërtetë që Kosova ka hyrë në krizë dhe kjo rëndon jetën në Kosovë. Kemi ngritje të pakontrolluar dhe kjo më shumë mbron interesin e tregtarëve sesa të qytetarëve dhe të kihet parasysh fakti që pagat janë pothuajse të ngrira. Kjo është një situatë qe e alarmon qytetarin e Kosovës”, tha Gërxhaliu.

Ai shtoi se është koha për të gjetur mënyra që të dalim nga kjo situatë dhe tha se kjo krizë në Kosovë nuk po trajtohet me seriozitet.

Gërxhaliu për KALLXO.com tha nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje mund ta shtohet numri i familjeve skamnore në Kosovë.

“Në qoftë se nuk do të gjendet një mënyrë për t’i ndihmuar qytetarët që ata ta ndjejnë dorën e shtetit dhe nëse nuk ndodhë do të ketë pakënaqësi dhe në fund të vitit do të kemi numër më të madh të familjeve skamnore”, tha ai.