Bizneset deklarojnë gjendje jo të kënaqshme në tremujorin e fundit të vitit 2020

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi sot përmes një konference ka shpalosur raportin nga të gjeturat e anketimit të bizneseve, për tremujorin e katërt të vitit 2020.

Në bazë të raportit të shpalosur nga kreu i OEK, të gjeturat e tre muajve të fundit të vitit 2020 janë marr nga 358 ndërmarrje, ku janë përfshirë sektorët e tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë dhe shërbimeve.

Të dhënat janë marr edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Në raport thuhet se gjetjet e tre muajve të fundit të vitit 2020 ku vlerësohet situata aktuale tek bizneset është e pakënaqshme, ku rreth 45% prej tyre kanë vlerësuar gjende jo të mirë biznesore.

Sa i përket punësimit, në raport theksohet se për qindja e kompanive që kanë pritshmëri negative për punësim është zvogëluar në këtë tremujor krahasuar me atë paraprak.

Rreth 69% e kompanive presin të mbajnë numrin e njëjtë të punëtorëve.

Sa i përket pritjeve për muajt e ardhshëm, sipas vlerësimeve në raport, pritjet për 6 muajt e ardhshëm janë gati se njëjtë më ato të tremujorit paraprak. Rreth 41 % e kompanive që pranuan të përgjigjen vlerësuan se situata e tyre biznesore në 6 muajt e ardhshëm do  të përmirësohet.

Sipas gjetjeve në raport, klima e biznesit në vend është përmirësuar në krahasim me tremujorin paraprak të vitit 2020, kjo për shkak se kompanitë kanë rritur pritshmëritë për përmirësimin e gjendjes se tyre në gjashtë muajt e ardhshëm.

Indikatori i konfidencës në këtë tremujor është -4.1, kjo vlerë është reflektuar nga deklarimet pesimiste të sektorit të ndërtimit, tregtisë me shumicë dhe prodhimit.

Raporti thekson se mungesa e porosive apo e kërkesës për produkte 49% është barriera më e raportuar nga bizneset gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020, pasuar nga konkurrenca jo-lojale 37%, normat e larta të interesit 35%, dhe mungesa e mjeteve financiare 35%.