Kuvendi Komunal i Prishtinës | Foto:KALLXO.com

Ahmeti Nuk Kundërshton Diskutimin për Autobusët

Shefat e grupeve të asamblistëve bashkë me zyrtarët ligjorë të Komunës së Prishtinës do të ulen për të diskutuar dhe për të sjellë në kuvend një vendim në lidhje me kredinë e Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim për blerjen e 51 autobusëve për Trafikun Urban.

Kjo ndodhi pasi në mënyrë unanime asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës vendosën që çështja e autobusëve të hyjë në rend dite. Për të votuan të gjithë 43 asamblistët e pranishëm.

Dhënia e garancionit nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që Trafiku Urban të mund të marrë kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim për blerjen e 51 autobusëve u propozua të hyjë në rend dite nga asamblisti i LDK-së Sami Hamiti.

Në propozimin e tij Hamiti tha se pasi Trafiku Urban është qind për qind komunal, “për borxhin që merret duhet të garantojë komuna”.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti nuk e kundërshtoi diskutimin për këtë kredi në Kuvendin Komunal.

“Mirë është me qit në rend dite, por ky nuk është borxh komunal,” tha Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti deklaroi se Komuna e Prishtinës nuk është duke kërkuar borxh.

“Ministria e Financave e ka nënshkruar që huamarrësi të jetë Trafiku Urban, garantues Ministria e Financave. Trafiku Urban ka kërku garancion shtetëror,” tha Ahmeti.

Udhëheqja e Komunës së Prishtinës dhe Ministria e Financave kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për vonesën e nënshkrimit të kredisë me BERZh-in për 51 autobusët.

Para dy ditësh Shpend Ahmeti shkroi në Facebook se Kryeministri dhe Ministri i Financave po e pengojnë blerjen e autobusëve.

“Qe dhjetë muaj Ministri i Financave (Avdulla Hoti) dhe Kryeministri Mustafa e pengojnë blerjen e 51 autobusëve me kredi nga BERZH, përkundër faktit që ishte MF ajo që e nënshkroi kushtet bashkë me komunën dhe me BERZH-in,” shkroi të hënën Ahmeti.

Të njëjtën ditë ministri Hoti, kur foli për KALLXO.com, akuzoi pikërisht Ahmetin dhe subjektin politik që ai i takon për bllokimin e kësaj kredie.

“Unë ju garantoj që këtë çështje nuk do e lëmë në vullnetin e Kryetarit të Komunës… Partia nga vjen ai prej shtatorit të vitit të kaluar nuk ka marrë pjesë në Kuvendin e Kosovës dhe e ka penguar në masë të madhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që tash po kërkon të votohet një marrëveshje që është e Komunës së Prishtinës,” tha Hoti.

Dje kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës Halim Halimi u takua me ministrin Hoti, ndërsa në takim u vendos që për autobusët të diskutohet në kuvendin e kryeqytetit.

http://kallxo.com/autobuset-e-politizuar-te-prishtines-serish-ndeshin-ahmetin-e-hotin/

Po dje Shpend Ahmeti dhe nënkryetari i Prishtinës Dardan Sejdiu mbajtën një konferencë për gazetarë ku folën për këta autobusë.

Ahmeti në atë konferencë tha nëse vazhdon bllokimi i blerjes, qytetarët do të protestojnë.

http://kallxo.com/ceshtja-e-autobuseve-diskutohet-neser-ne-kuvendin-komunal/

KALLXO.com edhe më herët ka shkruar për përplasjet komunë-qeveri rreth autobusëve për Trafikun Urban.

http://kallxo.com/te-gjitha-ballafaqimet-e-komunes-me-qeverine-per-autobuset/

http://kallxo.com/autobuset-edhe-120-dite-afat/