Tërmet në Kosovë
Një tërmet është regjistruar para rreth një ore në Kosovë.
“Bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të të dhënave të ngjarjes sizmike, më 13.05.2024, në ora 18:04:01 sipas kohës lokale, territori Kosovës është goditur me një tërmet me magnitudë 2.7 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet III-IV ballë të Merkalit” – ka thënë për KALLXO.com Shemsi Mustafa sizmolog nga Instituti Sizmik i Kosovës
Sipas Mustafës, epiqendra e këtij tërmeti ishte në zonën e Kleçkës, 30 km në jugperëndim të Prishtinës dhe 10 km në lindje të Malishevës.
“Tërmeti në fjalë nuk kishte potencialin të rrezikojë qytetarët apo ndonjë dëm material për shkak të forcës së ulët, nuk kishte vend për panik apo shqetësime, njëherësh ky tërmet dëshmon për zonën që është zonë aktive, e cila në të kaluarën kjo zonë ishte goditur me tërmete me intensitet të lartë bazuar në katalogun historik të tërmeteve” – shtoi Mustafa.
Sipas tij, kjo zonë edhe në të ardhmen mund të gjenerojë tërmete me magnitudë të intensiteti të lartë, ashtu sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë.