Agim Veliu - FOTO KALLXO

Agim Veliu thotë se buxheti i Qeverisë Haradinaj diskriminon Podujevën

Agim Veliu, kryetar i Komunës së Podujevës, i cili vjen nga LDK, ka thënë se bazuar në debatet dhe informacionet për Projektligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2019, vërehet qartë diskriminimi i skajshëm që i bëhet Komunës së Podujevës nga qeverisja aktuale e vendit.

“Për njërin nga projektet më vitale të komunës tonë, që është zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë – Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar vetëm 2 milionë euro, para të cilat nuk mjaftojnë as për mbulimin e pagesave të punëve që janë kryer në dy llotet e para”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Veliut, realizmi i këtij projekti , sipas afatit të planifikuar, do të duhej të ishte prioritet i Qeverisë, për faktin se kjo rrugë lidh Kosovën me Europën Perëndimore dhe është arteria kryesore që shfrytëzohet nga bashkatdhetarët tanë gjatë ardhjes në vendlindje.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, që para se ta miratojë Ligjin e buxhetit për vitin 2019, Komunës së Podujevës t’i jap trajtimin e merituar dhe këtë projekt si dhe projekte të tjera me interes për qytetarët t’i trajtojnë konform rëndësisë që kanë”, ka shkruar Agim Veliu.