Marrëveshja e rektorëve | Foto: KALLXO.com

Afrohen Universitetet e Tiranës dhe Prishtinës

Marrëveshja e nënshkruar nga Marjan Dema e Mynyr Koni përfshin krijimin e programeve të përbashkëta studimore, shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve si dhe shfrytëzimin e  infrastrukturave dhe të laboratorëve.

Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Dema tha se Universiteti i Tiranës do t’i ndihmojë Universitetit të Prishtinës edhe për të përfituar nga projektet e ndryshme evropiane.

“Ne të gjithë e dimë se për shkak të statusit të Kosovës ne nuk kemi të drejtë për shfrytëzimin e projekteve të ndryshëm si për shembull nga ‘Horizont 2020’,” tha Dema.

Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar e lidhi me precizitetin e profesioneve të tij dhe Demës.

“Ne jemi të dy rektorë të rinj të sapozgjedhur dhe ky moment është moment i rëndësishëm për të dy dhe jemi të së njëjtës fushë të shkencave të matematike-natyrore dhe jemi të dy korrektë, fjalëpakë dhe punëshumë,” tha ai.

Dema më tutje tha se universitetet në Prishtinë e Tiranë duhet të punojnë që të rangohen sa më lartë edhe jashtë hapësirave me shqiptarë.

“Jo vetëm të krijomë dy universitete të cilat janë elitare në hapësirat etnike, por imazhin e këtyre dy universiteteve ta ngremë edhe në rajon dhe në vendet evropiane,” tha Dema.

Ndërsa rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni tha se bashkëpunime të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Në shtator të këtij viti ekipet nga ana e dy universiteteve do të bëhen bashkë për të përpiluar edhe një projekt të përbashkët.