Foto: Ilustrim

9 të Arrestuar në Operacionin Ndaj Skemave Piramidale dhe Bixhozit

Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten nëntë persona në një operacion të gjerë policor bashkë me Doganën dhe Administratën Tatimore kundër të dyshuarve për organizim të skemave piramidale, bixhozit dhe krim të organizuar.

Sipas policisë, operacioni është realizuar me urdhëresë të gjykatës kompetente gjatë të cilit janë kontrolluar 21 lokacione në rajonet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Gjilani dhe Ferizajt.

Personat e arrestuar në këtë rast janë Q. M. (1989), M. A. (1954), A. B. (1989), SH. B. (1981), G. N. (1987), M. K. (1985), P. N. (1984), B. B. (1986) dhe S. B. (1967).

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar si prova materiale 2 armë zjarri, 9 fishekë, 125 aparate të lojërave të fatit, 1 rulet, 15 shtëpiza kompjuteri, 9 KENO lojëra, 1 aparat për shtypje te tiketave, 9 DVR regjistrues, 10,906.10 euro para të gatshme, dokumente të ndryshme, libra të shitjes etj.

Personat e dyshuar me urdhëresë të prokurorit janë dërguar në mbajtje.