Studimi: Vitamina D nuk i parandalon sëmundjet për shumicën e njerëzve

Sipas një studimi të ri të botuar të mërkurën në British Medical Journal, suplementet e vitaminës D nuk ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve për shumicën e njerëzve.

Gjatë muajve të zymtë të dimrit të ditëve të shkurtra dhe qiellit me re, shumë njerëz i ekspozohen rrezeve të diellit në kërkim të vitaminës D. E bërë në mënyrë natyrale nga lëkura kur ekspozohet ndaj dritës së diellit, kjo vitaminë nevojitet për t’i mbajtur kockat të shëndetshme, dhëmbët dhe muskujt dhe për të parandaluar që ata të bëhen të brishtë dhe në rrezik frakture.

Megjithatë, një rishikim i provave nga provat klinike mbi ndikimin e suplementeve ka zbuluar se përpjekja për të marrë vitaminë D përmes suplementeve nuk është aq e dobishme.

“Ne konkludojmë se provat aktuale nuk e mbështesin përdorimin e suplementeve të vitaminës D për t’i parandaluar sëmundjet”, thotë përmes një deklarate, Mark Bolland, profesor i asociuar i mjekësisë në Universitetin e Auckland, Zelanda e Re. Bolland udhëhoqi kërkimin me Alison Avenell, udhëheqëse e klinikës në kërkimin e shkencave shëndetësore në Universitetin e Aberdeen.

Sipas ekipit, provat klinike kanë dështuar të tregojnë se suplementet e reduktojnë rrezikun e shkaktuar nga rrëzimet dhe frakturat në kocka dhe muskuj. Megjithatë, ata pranojnë se mund të jetë e dobishme për njerëzit që janë në rrezik të lartë, të tillë si ata në shtëpitë e të moshuarve dhe njerëzit me lëkurë të errët që jetojnë në klimat më të ftohta.

Për ata që janë në rrezik, studiuesit rekomandojnë suplemente gjatë vjeshtës dhe dimrit, por gjithashtu sugjerojnë marrjen e këshillave se si ta merrni më mirë vitaminën D në mënyrë natyrale. “Vitamina D do t’i mbrojë njerëzit që janë në rrezik të lartë”, thotë Avenell.

Burimet natyrore

Në pranverë dhe verë në rajonet e largëta të hemisferës veriore dhe jugore, si SHBA-ja veriore dhe Zelanda e Re, njerëzit priren të prodhojnë mjaftueshëm vitaminë D nëpërmjet rrezeve të diellit në lëkurën e tyre dhe ushqimeve në dietën e tyre. Vitamina e ndihmon trupin të absorbojë kalciumin për të nxitur rritjen e kockave.

Marrja e mjaftueshme e vitaminës D, e llogaritur si 15 mikrogramë për moshat 1 deri në 70 vjeç në Shtetet e Bashkuara, e parandalon gjithashtu rakitin tek fëmijët dhe osteomalacinë – zbutjen e kockave – tek të rriturit. “Ne po flasim për parandalimin e këtyre sëmundjeve,” tha Avenell.

Por gjatë vjeshtës dhe dimrit nivelet shënojnë rënie. Si ndihmesë mund të jenë konsumet e ushqimeve të duhura, të tilla si peshku me vaj, të verdhat e vezëve, mishi i kuq dhe mëlçia, për të mbajtur nivelet e larta brenda trupit – gjë që jo të gjithë mund ta arrijnë në mënyrë adekuate. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, ushqimet e fortifikuara, duke përfshirë qumështin, drithërat dhe spërkatet, ofrojnë më shumë vitaminë D në dietën amerikane.

“Në SHBA, plotësimi i vitaminës D (përmes ushqimit) është më i lartë”, thotë Avenell.

Në vende si Britania e Madhe, megjithatë, ushqimet nuk janë të fortifikuara aq shpesh, dhe për këtë arsye rekomandohen suplementet. Deri kohët e fundit, rekomandimet ishin kryesisht për njerëzit me rrezik të lartë të rakitave dhe osteomalacisë, por këtë verë, Public Health England ka këshilluar që të gjithë të merrnin ekuivalentin me 10 mikrogramë në ditë.

“Ky është një ndryshim i madh”, thotë Avenell. “Ne nuk mendojmë se provat e mbështesin domosdoshmërinë për këtë gjatë dimrit”.

Në një artikull të veçantë, të botuar gjithashtu të mërkurën, Dr. Louis Levy, udhëheqësi i shkencës së të ushqyerit në Shëndetin Publik në Angli, argumentoi se doza e rekomanduar mbështetet nga Komiteti Këshillimor Shkencor mbi Ushqyerjen, i cili gjithashtu shqyrtoi provat.

“Kur ditët janë më të errëta dhe më të shkurtra dhe ekspozimi ndaj diellit është minimal, njerëzit duhet të marrin në konsideratë një shtesë prej 10 mikrogramësh të vitaminës D në ditë, pasi është e vështirë të marrësh mjaftueshëm vetëm nëpërmjet dietës”, thotë ai në një deklaratë.

Mirëpo hulumtimi i Avenell argumenton se suplementet nuk bëjnë asnjë ndryshim.

“Ata nuk kanë gjasa të bëjnë ndonjë dëm”, thotë ajo. “Por në popullatën e rritur, plotësimi në nivelet e Shëndetit Publik në Angli nuk i parandalon rëniet ose frakturat”.

Hulumtimet ishin gjithashtu jofinale për përfitimet e tjera që pretendohet se lidhen me vitaminën D. “Nuk pamë asnjë provë finale të mbrojtjes së vitaminës D kundër kushteve të tjera si sëmundjet e zemrës ose kanceri (ose)”, tha ajo.

Një debat në vazhdim

Të mirat dhe të këqijat e vitaminës D janë debatuar prej kohësh, por me këtë rishikim që vë në pikëpyetje përfitimet e tyre – përveç atyre me rrezik të lartë – shumë ekspertë janë tërhequr nga frika e pasojave nëse njerëzit ndalojnë marrjen e tyre.

“Dështimi për ta adresuar statusin e ulët të vitaminës D gjatë fëmijërisë, adoleshencës, për gratë në moshë riprodhuese dhe tek të moshuarit mund të ketë implikime serioze afatgjata për shëndetin publik”, thotë David Richardson, profesor vizitor i bioshkencës ushqimore në Universitetin e Reading. “Tani nevojitet veprim përballë provave në rritje të një prevalence të lartë të pamjaftueshmërisë së vitaminës D”.

Martin Hewison, profesor i endokrinologjisë molekulare në Universitetin e Birminghamit, është dakord me këtë.

“Është e qartë se njerëzit në Mbretërinë e Bashkuar janë në rrezik të lartë të mungesës së vitaminës D, veçanërisht në dimër”, thotë ai, megjithëse ai e vuri theksin tek pika e Avenell se suplementet janë veçanërisht “të rëndësishme për njerëzit në rrezik të lartë të mungesës: ata me lëkurë më të errët nga prejardhje afrikane, afro-karaibe dhe aziatike e jugut; njerëzit që janë të mbyllur në ambiente të mbyllura; dhe njerëzit që e mbulojnë lëkurën e tyre ndërsa janë jashtë”.

Hewison gjithashtu e vë theksin tek nivelet e ndryshme konfuzioni dhe të panjohurash që vazhdojnë rreth kësaj çështjeje. “Ka ende një debat rreth asaj se çfarë niveli të vitaminës D llogaritet si mungesë dhe kjo ndryshon në varësi të sëmundjes që studiohet”, tha ai.

(Mirëpo) mesazhi i marrë në shtëpi është se ne duhet të dimë më shumë se si funksionon vitamina D përpara se të planifikojmë prova të reja klinike për t’i vlerësuar përfitimet e saj shëndetësore. Ndërkohë, rekomandimet e Shëndetit Publik në Angli për vitaminën D janë tradicionale dhe të arsyeshme dhe njerëzit duhet t’i ndjekin ato./CNN

 

Përgatiti: Nuhi Shala