Studimi: Çdo vit i kaluar në shkollë apo universitet e përmirëson jetëgjatësinë 

Studimi i parë sistematik që e lidh drejtpërdrejt arsimin me rritjen e jetëgjatësisë sugjeron se çdo vit i kaluar në shkollë ose universitet e rrit jetëgjatësinë, ndërkohë që mosndjekja e shkollës paraqet rreziqe të ngjashme me pirjen e duhanit ose pirjen e madhe të alkoolit. Hulumtimi i publikuar në revistën Lancet Public Health, duke përdorur të dhëna nga vendet e industrializuara si Britania e Madhe dhe SHBA, si dhe vende në zhvillim si Kina dhe Brazili, tregon një reduktim prej 2% të rrezikut të vdekshmërisë së një të rrituri për çdo vit me kohë të plotë arsimimi. Të kompletuarit e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë barazohet me përfitimet e një diete të shëndetshme gjatë gjithë jetës, duke e reduktuar rrezikun e vdekjes me 34% krahasuar me ata pa arsim formal. Në të kundërt, mosvijimi i shkollës krahasohet me rreziqet shëndetësore që lidhen me pirjen e tepërt të alkoolit ose pirjen e duhanit.

Studimi i lartcekur i përforcon përpjekjet në Angli për të promovuar vijueshmërinë e shkollës, duke e vënë theksin tek korrelacioni midis vijiueshmërisë së shkollës dhe shëndetit. Studimi sugjeron gjithashtu se rritja e moshës së përfundimit të shkollës dhe regjistrimit në arsimin e lartë mund të kontribuojnë në zgjatjen e jetëgjatësisë.

Ndërkohë që ndikimi pozitiv i arsimit në jetëgjatësinë është pranuar prej kohësh, ky studim, i kryer nga akademikë në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë (NTNU) dhe Universitetin e Uashingtonit në Seattle, është i pari që përcakton numrin e viteve të arsimit dhe lidhjet e tij me uljen e vdekshmërisë. Pavarësisht lavdërimeve për hulumtimin, disa paralajmërojnë se të dhënat e marrura parasysh në të kaluarën mund të ndryshojnë, duke marrë parasysh zgjerimet e fundit në arsimin e lartë dhe ndryshimin e faktorëve shoqërorë.

Studiuesit, të mbështetur nga fondi i kërkimit i qeverisë norvegjeze dhe Fondacioni Bill & Melinda Gates, argumentojnë se meta-analiza e tyre ofron prova bindëse për rritjen e investimeve në arsim për të reduktuar pabarazitë në shkallën globale të vdekjeve. Analiza tregon përmirësime të ngjashme në jetëgjatësi në vendet e pasura dhe të varfra, pavarësisht nga gjinia, klasa sociale dhe demografia.

David Finch, ndihmës drejtor i Fondacionit Shëndetësor, i pranon pabarazitë ekzistuese në Mbretërinë e Nashkuar dhe vë në dukje se një nivel më i lartë arsimimi e përmirëson jetëgjatësinë përmes mjeteve të ndryshme, duke përfshirë përfitimet jofinanciare. Megjithatë, ngrihen shqetësime rreth rritjes së niveleve të mungesës në shkollë dhe ndikimeve të mundshme në të ardhmen mbi shëndetin dhe pasojat e tregut të punës.

Bashkëautori i studimit, Dr. Terje Andreas Eikemo nga NTNU, nënvizon rëndësinë e edukimit përtej përfitimeve shëndetësore dhe e vë theksin tek nevoja për ta përcaktuar sasinë e zhvillimit të tij të rëndësishëm. Ndërkohë që ky studim e rrit ndërgjegjësimin për lidhjen midis arsimit dhe jetëgjatësisë, pyetjet mbeten në lidhje me qëndrueshmërinë e jetëgjatësisë më të gjatë, të varur nga faktorë, të tillë si qasja në strehim të përballueshëm dhe mundësitë e karrierës për brezat e ardhshëm./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala