Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rritja e rasteve me COVID-19, mbi 100 të shtrirë në Klinikën Infektive

Kosova dje ka tejkaluar shifrën mbi 20 mijë të të infektuarve me pandeminë globale, COVID-19, me 20.179 të prekur nga ky virus, përderisa gjatë vikendit janë shënuar 851 raste të reja.

Me rritjen e rasteve është rritur edhe numri i pacientëve të cilët kërkojnë tretman mjekësor nëpër institucionet shëndetësore në vend, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por edhe nëpër spitalet rajonale.

Në një përgjigjë për KALLXO.com, u.d.drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj – Berisha, tha se sot janë të shtrirë 106 pacientë prej tyre 54 janë duke u asistuar me oksigjeno – terapi, përderisa tre pacientë janë në respiratorë nën modulin CPAP.

Klinika Infektive në QKUK ka 120 shtretër për pacientët e infektuar me coronavirus, nga 106 sa janë të shtrirë në këtë klinikë i bie se vetëm edhe 14 shtretër janë të lira për trajtimin e pacientëve me SARS- CoV-2.

Në kohën kur vendi sapo kishte regjistruar rastet e para të infeksionit me COVID-19, Institucionet në vend po ballafaqoheshin me mungesë të respiratorëve, paisje të cilat ua lehtësojnë frymemarrjen pacientëve, në atë kohë Institucionet Shëndetësorë në vend kishin vetëm 95 respiratorë.

Ajazaj – Berisha, ka theksuar se tani Klinika Infektive qëndron mirë sa i përketë respiratorëve.

Në anën tjetër, numri i lartë i pacietëve të cilët po kërkojnë tretman mjekësorë është rritur edhe nëpër Spitalet Rajonale në vend, mbi 140 pacientë janë duke u trajtuar nëpër Spitalet Rajonale në vend.

Nga 20.179 persona të infektuar me SARS-CoV-2, 15.611 janë shëruar ndërsa, 688 kanë vdekur.

COVID-19 gjithashtu mori jetën e tetë mantelbardhëve.

Situata alarmante me rastet në rritje me COVID-19, kjo është gjendja në spitalet e Kosovës