Kosova në emergjencë shëndetësore, në të gjitha spitalet janë vetëm 95 respiratorë

Në kohën kur Kosova është duke u përballur me emergjencë të shëndetit publik për shkak të pandemisë së coronavirusit të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës thotë se në tërë Kosovën janë gjithsej 95 respiratorë.

Po ashtu, QKUK në një përgjigje ka bërë të ditur se ka në dispozicion mbi 2,000 shtretër,  e po ashtu, mbi 2,000 të  tjerë në kuadër të spitaleve rajonale.

“QKUK ka 58 respiratorë​ në përdorim në klinika, kurse 15 tjerë janë rezervë.  Në 7 spitalet e përgjithshme ka 22 respiratorë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Komiteti për menaxhimin e gjendjes me COVID-19 i ShSKUK  ka zbrazur në tërësi Klinika e Dermatologjisë dhe Pulmologjisë dhe janë mbi 100 shtretër në dispozicion të pacientëve të mundshëm me COVID-19 nëse situata përshkallëzohet.

Ndërsa, sipas QKUK, Komiteti për menaxhim të situatës me COVID-19 është duke u bërë gati që edhe objekti i Mjekësisë Sportive të shërbejë për pacientët e mundshëm.

“Komiteti për menaxhim të situatës Covid-19 i SHSKUK-së, ka punuar dhe po punon që objekti i mjekësisë sportive të jetë gati që në rast nevoje fillimisht të ketë 30 vende shtesë për intensivë”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Gjithashtu, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, dje në një konferencë për media tha se spitalet private kanë shprehur gatishmërinë për të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre si: resurset humane, pajisjet dhe infrastrukturën.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për caktimin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, si hapësirë karantine.

Sipas këtij vendimi, personat të cilët dyshohen ose vërtetohen se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë me Coronavirus, do të futen në këtë karantinë.

“Qendra e Studentëve në Prishtinë kalon në menaxhim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë deri në pushim të gjendjes emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës me vendimin Nr.01/11, të datës 15 mars 2020”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Nga data 08.02.2020 deri me 18.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 308 mostra të dyshimta në virusin COVID-19 dhe gjithsej njëzet raste prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ndonëse ka vetëm 58 respiratorë në përdorim dhe 15 të tjerë rezervë, ka blerë mbi 160 mijë litra oksigjen me origjinë nga Serbia, me çmim gati dyfish më shumë nga sa kishte planifikuar.

Vlera e parashikuar për këtë tender ishte 184.257,68 euro. Ndërsa ShSKUK ka lidhur kontratë me kompaninë “Medica” Sh.P.K. në vlerë prej 320,957.68 euro apo 136,700 euro më shumë se vlera e parashikuar.

ShSKUK blen oksigjen nga Serbia me çmim dyfish më shumë se sa planifikoi