ILUSTRIM - Dy doktorë/ infermierë të pajisur me veshjet speciale për t'iu shmangur infektimit me COVID-19, Foto:KALLXO.com

Shtatë mantelat e bardha që nuk do të vishen më

Shtatë mantela të bardha  nuk do të vishen më nga shtatë mjekët të ciltë tashmë nuk janë në mesin tonë.

‘Agresori ’ COVID-19 mori jetën e mjekëve tanë të zellshëm e punëtorë.

Banorët e Vitisë mbetën pa një mjek familjar, Fadil Zukën, si dhe pa specialistin e mjekësisë interne Feti Hetemi, Kirurgjia në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës mbeti pa mjekun Ali Tolajn, klinika e Internos mbeti pa mjeku internist, reumatologu e specialist Sylejman Rexhepi, edhe qyteti i Prizrenit mbeti pa mjekun familjar Lulzim Kolgjeraj, pasojave të infeksionit nuk arriti të u mbijetojë as mjeku tjetër familjar i komunës së Gjakovës Kujtim Zarari, në mesin e tyre është edhe Gjinekologu Burim Krasniqi.

Doktor Fadil Zuka

Doktori familjar Fadil Zuka, nga komuna e Vitisë i takonte gjeneratës së persekutuar nga regjimi serb i cili kishte bërë shumë sakrifica për të i shërbyer shqiptarëve që nga vitet 90–ta.

Ai kishte shërbyer në Ambulantën e Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” në Viti, pastaj në Pozheran.

Doktor Feti Hetemi

Specialisti i mjekësisë Interne në Komunën e Vitisë, Feti Hetemi ishte 66 vjeçar.
Ai studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1979 diplomoi në mjekësin e përgjithshme, kurse specializimin për mjekësi interne e përfundoi në vitin 1986 në Zagreb.

Në vitet 80-ta ishte delegat i Kuvendit të Kosovës ku me iniciativën e tij themeloi Qendrën për Hemodializë në Spitalin regjional të Gjilanit dhe Dispanserin për Nefrologji në Viti.

Doktor Hetemi për 14 vite ka qenë kryetar i Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” për regjionin e Vitisë si dhe ishte antar i kryesisë qendrore në Prishtinë.

Doktor Ali Tolaj

Kirurgu Ali Tolaj u lind më 20 prill 1961 në fshatin Prilep në Deçan.
Ai studioi në Fakultetin e Mjekësisë në UP, ku edhe diplomoi më 1987. Pastaj filloi punën si Mjek i Përgjithshëm në Gjakovë.
Studimet post-diplomatike i pati vazhduar në Beograd ku në vitin 1995 u specializua në lëmin e Kirurgjisë, po ashtu në Beograd vazhdoi edhe magjistraturën.

Më 1996 filloi shërbimin e tij në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ai edhe gjatë luftës ka shërbyer si mjek në komunë e Gjakovës.

Doktor Sylejman Rexhepi

Sylejman Rexhepi ishte mjek internist, reumatolog e doktor i shkencave dhe profesor.

Ai diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë Interniste në Prishtinë më 1979. Pas diplomimit ai filloi punën në Shërbimin e Shëndetit në Ferizaj.
Rexhepi më 1981 u bë mjek specialist intern në Prishtinë. Më vonë punësohet në Klinikën Interne në Reumatologji në Prishtinë.

Gjatë periudhës 1987-89 ishte bartës i projektit shkencor mbi ethet reumatike në Kosovë dhe ka marr pjesë në organizimin e gjashtë simpoziumeve për këtë problematikë.

Ai gjatë viteve 2002-2003 udhëhoqi studimet pasdiplomike për reumatologji me rehabilitim fizikal.

Doktor Lulzim Kolgjeraj

COVID-19 mori jetën e mjekut familjar nga Prizreni Lulzim Kolgjeraj, 56 vjeçarë.

Mjeku familjar nga Prizreni, Lulzim Kolgjeraj ishte në shërbim në shëndetësinë primare në Prizren përreth tre dekada.

Ai ka qenë specialist i mjekësisë familjare në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjonaj.

Doktor Kujtim Zarari

Kujtim Zarari ishte 51 vjeçarë dhe punonte në mjekësinë familjare në Gjakovë.

Përveç që punonte si mjek i Mjekësisë Familjare ai ishte edhe anëtar i Kuvendit në Odën e Mjekëve të Kosovës.

Doktor Burim Krasniqi

Klinika Obstetrike Gjinekologjike humbi doktorin Burim Krasniqi.

Shumë fëmijë e nëna morën tretman mjekësorë nga doktor Krasniqi.

Ai nuk arriti të i bëjë ballë infeksionit me COVID-19 dhe si pasojë e kësaj vdiq.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 400 staf shëndetësorë të infektuar me Coronavirus.