Foto: KALLXO.com

Drejtori i Klinikës Infektive flet për gjendjen e pacientëve që u helmuan në Malishevë

Shumica e personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë janë trajtuar në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe në Spitalin e Prizrenit.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, ka njoftuar se në këtë institucion shëndetësor po trajtohen 15 persona që dyshohet se janë helmuar në Malishevë.

“15 janë për momentin, besoj për 2-3 ditë kemi me i lëshu shumë”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Vishaj ka njoftuar se gjendja e këtyre pacientëve është “shumë stabile”.

Numri i personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë ka shkuar në mbi 200.

Në lidhje me këtë, sot kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, bashkë me drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha, kanë qenë për një vizitë falënderuese në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Shpëtim Robaj” në Malishevë.

Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pronarit të lokalit të ushqimeve të shpejta në Malishevë.

Paraburgimi atij i është caktuar pasi dyshohet për veprën penale – vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.