Situata alarmante me rastet në rritje me COVID-19, kjo është gjendja në spitalet e Kosovës

Numri i rasteve të shënuara brenda 24 orëve ka thyer rekordin e ri sa i përket infeksionit me COVID-19, 418 gjithsej nga 1,058 mostra të marrura gjatë ditës nga Instituti Komëbtar i Shëndetësisë Publike.

Shërbimet shëndetësore në vend janë në përgatitje për ‘valë të dytë’ të infeksionit me pandeminë COVID-19.

Rritjen dramatike të numrit të rasteve me SARS-CoV-2, e dëshmon numri i lartë i infektimeve të regjistruara këtë javë. Që nga dita e hënë e kësaj jave e deri më tani IKShPK ka regjistruar 1,385 raste me coronavirus, vetëm të enjten dhe të premten janë regjistruar 702 raste të reja të infeksionit.

Përveç Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientë të infektuar me COVID-19 janë duke u trajtuar edhe Spitalet Rajonale në vend.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorët e spitaleve rajonale dhe ka mësuar se 141 të dyshuar dhe pozitiv me SARS-CoV-2 janë të shtrirë nëpër këto spitale.

Spitali Rajonal i Prizrenit, nën udhëheqjen e Afrim Avdaj, është duke trajtuar 54 pacientë të dyshuar për COVID-19

“31 raste të konfirmuara dhe 23 në pritje të rezultateve të testit. Nga këta, 34 po marrin terapi me oksigjen, gjashtë me maskë CPAP dhe një me ventilator”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com

Nëse bëjmë rrugëtimin për në pjesën perëndimore të Kosovës për në Spitalin Rajonal të Gjakovës kuptojmë se në këtë spital mantelbardhët janë duke u përkujdesur për 35 pacientë sa janë të shtrirë në dhomat e këtij spitali.

Tutje, Spitali Rajonal i Pejës është duke trajtuar 28 pacientë të infektuar me pandeminë e coronavirusit, nëntë prej tyre janë në gjendje të rëndë.

24 pacientë të dyshuar për COVID-19 janë duke u trajtuar në Spitalin e Gjilanit i cili përfshinë edhe qytetin e Vitisë, nga spitali bëjnë të ditur se tre pacientë janë në kujdes intensiv.

Në pjesën veriore të vendit, më sakësisht në qytetin e Mitrovicës Jugore dhe Vushtrrisë, Spitali Rajonal është i qetë dhe nuk ka pacientë të shtrirë me COVID-19, të njëjtën ‘qetësi’ e ka edhe spitali i Ferizajt, ku aktualisht nuk ka të shtrirë asnjë pacientë me COVID-19.

Përveç Spitaleve Rajonale, numri i pacientëve të cilët ‘po trokasin’ në dyert e Klinikës Infektive në QKUK për të kërkuar ndihmë ka filluar të rritet, këtë e ka konfirmuar u.d. Drejtoresha Lindita Ajazaj – Berisha.

Kapacitetet e Spitaleve Rajonale në vend

Kur në vend filloi përhapja e pandemisë së coronavirusit, ‘ankthi’ i qytetarëve ishte se sa do të mund të menaxhohet një situatë e tillë.

Për luftimin e kësaj pandemie Institucionet Qeveritare por edhe ato shëndetsore po bëjën thirrje që të respektohen masat e vendosura, bartja e maskave, distancimi nga personat tjerë për dy metra si dhe mbajtja e higjienes.
Përveç këtyre rregullave Spitalet Rajonale në vend por edhe Klinikat Qëndrore në Prishtinë, kishin nevojë për rritje të kapaciteteve.

Pandemia e COVID-19 vendin tonë e gjeti me vetëm 95 respiratorë, e të cilët janë të nevojshëm për rastet kur pacientët kanë nevojë për asistim të frymëmarrjes.
Kosova ka pranuar donacione nga vende të ndryshme të Evropës në lidhje me menaxhimin e pandemisë, kështu duke u rritur kapacietet e sistemit shëndetësorë në vend.

Shërbimi shëndetësor i Kosovës gjatë periudhës ku vendi po përballes me fluks të lartë të infeksionit, në Klinikën Infektive ishin vetëm 120 shtretër në dispozicion.
Nga 700 shtretërit sa ishin në dispozicion nëpër spitalet rajonale 570 ishin të zënë me pacientë me COVID-19, pjesa tjetër ishin për pacientët me sëmundje të tjera.

Mbingarkesa në Klinikën e Sëmundjeve ngjitëse – Infektivë, si dhe në Spitale Rajonale ka bërë që të funksionalizohen edhe klinika tjera në QKUK për trajtimin e rasteve me coronavirus, Neurologjia, Pulomologjia si dhe Mjekësia Sportive pritën pacientë me COVID-19.

Tani ku vendi është në fluks të lartë të rasteve me SARS-CoV-2, Spitalet Rajonale në vend kanë rritur kapacitetet në krahasim me kohën kur vendi sapo kishte filluar të përballet me këtë pandemi.

Spitali Rajonal i Prizrenit, ka rritur kapacitet, kështu duke hartuar një plan për menaxhimin e situatës me pandeminë e COVID-19.

“Është hartuar Plani për menaxhimin e situatës me COVID-19. Në plan është paraparë shtimi i kapaciteteve në rast të rritjes të numrit të infektuarëve me COVID-19”, thuhet në përgjigjen e spitalit për KALLXO.com.

Sipas drejtorit të Spitali Rajonal i Gjilanit, Nisret hajrullahu, tetë respiratorë janë në dispozicion për trajtimin e rasteve me infeksionin e coronavirusit.

Tutje, ai theksoi se janë të furnizuar me oksigjen në rast se ka nevojë për pacientët e shtrirë, madje ai theksoi se janë mirë të furnizuar edhe me masa mbrojtëse për stafin shëndetësore, duke përfshirë mantelat, maskat e rrobat mbrojtëse.

Pak kilometra largë spitalit të Gjilanit gjendet ai i Ferizajt, i cili ka 11 respiratorë.

“Kemi 11 respiratorë”, tha për KALLXO.com, Jeton Zeqiri, drejtori i këtij spitali.

Edhe pse nuk ka asnjë mjekë – Infekologë, Spitali i Rajonal i Vushtrrisë, është i furnizuar me respiratorë. Sipas drejtori të këtij spitali, Mursel Pllana, 10 respiratorë janë për shfrytëzim në këtë spital.

Si e vlerëson këtë situatë, kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetit, Blerim Syla?

“Ajo që është inkurajuese është pajisja më e mirë mbrojtëse që kemi”, tha për KALLXO.com kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësië, Blerim Syla.

Syla, tha tutje se tani janë më shumë të infromuar për virusin dhe kjo do të ndikojë në mos infektim të stafi shëndetësorë.

“Ne gjithashtu tani kemi më shumë njohuri në lidhje me virusin dhe kjo duhet të zvogëlojë numrin e personelit të kujdesit shëndetësor që do të infektohet, por nuk do të na mbrojë plotësisht”, vazhdoi ai.

Sipas Sylës, 1,600 punonjës shëndetësorë i ka prekur infeksioni COVID-19 që nga rasti i parë i paraqitur në muajin mars, këtu duke u përfshirë 600 mjekë.

19,328 raste pozitive me SARS-CoV-2, janë të regjisturar në Kosovë, prej tyre 15,434 janë shëruar ndërsa 678 kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Në nivel global 45,612,663.00 persona rezultojnë të infektuar nga coronavirusi, 33,089,644.00 janë shëruar ndërsa, 1,189,667.00 kanë vdekur.