Kërcënimi i padukshëm i super-baktereve

Rezistenca ndaj antibiotikëve është në rritje, duke i bërë shkencëtarët të fokusohen në parandalimin dhe përdorimin e përgjegjshëm të ilaçeve.

Ekziston një kërcënim i padukshëm që e mban planetin në cep të rrezikut. Alexander Fleming paralajmëroi për këtë shumë kohë përpara se të materializohej. Tetë dekada më parë, në një fjalim profetik pasi mori çmimin Nobel në Mjekësi për zbulimin e penicilinës, Fleming paralajmëroi: “Mund të vijë koha kur penicilina mund të blihet nga kushdo në dyqane. Pastaj ekziston rreziku që njeriu injorant mund ta nëndozojë veten lehtësisht dhe duke i ekspozuar mikrobet e tij ndaj sasive jo-vdekjeprurëse të drogës t’i bëjë ato rezistente. Paralajmërimi i Flemingut doli i vërtetë. Sot, një epidemi globale e rezistencës bakteriale përhapet lirshëm, duke shkaktuar vdekje nga infeksionet dikur të shërueshme.

Rezistenca bakteriale vret aktualisht rreth 1.2 milionë njerëz në mbarë botën dhe ekspertët parashikojnë se ky numër do të dhjetëfishohet deri në vitin 2050. “Jemi në një situatë kritike që kërkon bashkëpunimin e të gjithëve për ta ndalur këtë pandemi. Disa pacientë marrin antibiotikë më të fundit, por prapëseprapë dorëzohen për shkak të joefektivitetit të tyre. Dhe kjo nuk do të lehtësohet”- paralajmëron mikrobiologu Bruno González-Zorn, drejtor i Njësisë së Rezistencës Antimikrobike në Universitetin Complutense të Madridit dhe këshilltar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në Spanjë, një studim në 130 spitale zbuloi se bakteret shumë-rezistente shkaktojnë 20 herë më shumë vdekje sesa aksidentet me vetura. Në vitin 2023, mbi 23,300 vdekje iu atribuuan infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve.

Kjo specie super bakteresh po tërheq vëmendjen dhe shqetësimin e zyrtarëve të shëndetit publik. Ekspertët e kanë vënë theksin tek nevoja për një ndryshim dramatik në drejtim për t’i ndryshuar parashikimet e tmerrshme afat-shkurtëra dhe afat-mesme. “Globalizimi i baktereve rezistente ndaj antibiotikëve është në rritje. Ata dikur ishin të kufizuar në sulmimin e pacientëve të imunosupresionuar në spitale, por tani ata kanë hyrë në komunitet, duke shkaktuar tuberkuloz dhe infeksione seksualisht të transmetueshme”- thotë María del Mar Tomás, studiuese në Institutin e Kërkimeve Biomjekësore të A Coruña dhe zëdhënëse për Shoqërinë Spanjolle e Sëmundjeve Infektive dhe Mikrobiologjisë Klinike.

Keqpërdorimi dhe abuzimi i antibiotikëve, si në mjediset e kujdesit shëndetësor dhe veterinar, po kontribuojnë në krizën shëndetësore në rritje. Ky problem përkeqësohet nga faktorë të tjerë si mungesa e antibiotikëve të rinj dhe ndryshimet klimatike, të cilat e favorizojnë qëndrueshmërinë e baktereve shumë-rezistente. Për më tepër, pandemia COVID-19 ka rezultuar me rritjen e konsumit të antibiotikëve në spitale për t’i trajtuar infeksionet bakteriale dytësore në pacientët me koronavirus.

González-Zorn thotë se bakteret janë organizma të jashtëzakonshëm me një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur. Ata i zotërojnë mjetet për ta ndryshuar informacionin e tyre gjenetik, duke i lejuar ata të kapërcejnë sfida si antibiotikët dhe të kolonizojnë mjedise të reja. Ato jo vetëm që mund të shumohen me rezistencë, por edhe ta transferojnë atë te bakteret e tjera. González-Zorn vëren se askush nuk është i sigurt nga këto mikrobe. “Edhe individët që nuk marrin antibiotikë janë ende të ndjeshëm. Ndikimi i baktereve shtrihet përtej personit që merr antibiotikë dhe na prek të gjithëve”.

Globalizimi gjithashtu përhap rezistencë. Për shembull, kur dikush udhëton në Indi, ku mbizotërojnë superbakteret, ata shpesh kthehen si bartës të shtameve shumë-rezistente. “Ndërkohë që ata mund të mos kenë simptoma të menjëhershme nëse kontraktojnë një infeksion, bëhet më e vështirë për t’u trajtuar. Për më tepër, ata mund të përhapin bakteret tek të tjerët përreth tyre”- thotë Jordi Vila, mikrobiolog dhe drejtor i Iniciativës së Rezistencës Antimikrobike në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global.

González-Zorn thotë se krijimi i baktereve shumë-rezistente në një vend varet nga konsumi lokal i antibiotikëve. “Bakteret që janë rezistente ndaj antibiotikëve kanë një avantazh të rëndësishëm kur ilaçi është i pranishëm në mjedis. Në të kundërt, bakteret e ndjeshme lulëzojnë kur antibiotiku mungon në mjedis”.

OBSH po i monitoron nga afër disa nga këta kundërshtarë të vegjël, të cilët janë jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe kërkojnë urgjentisht antibiotikë të rinj. “Acinetobacter baumannii mbetet shqetësimi kryesor sepse ne kemi identifikuar disa shtame pan-rezistente të këtij bakteri”- thotë Vila. Bakteret pan-rezistente mund ta tejkalojnë çdo antibiotik në dispozicion.

Në përgjigje të kësaj situate të rëndë, zyrtarët e shëndetit publik dhe shkencëtarët po bashkëpunojnë në strategjinë One Health, e cila përdor qasje të shumta për të adresuar problemin. “Bakteret rezistente largohen nga spitalet dhe mund të gjenden në kafshët shtëpiake dhe ujërat e zeza. Prandaj, ne duhet t’i luftojmë ata brenda dhe jashtë spitalit”- thotë González-Zorn. Shtetet po e reduktojnë përdorimin e antibiotikëve në mjediset veterinare dhe po e racionalizojnë kujdesin shëndetësor për t’i parandaluar super bakteret e reja. Zhdukja e antibiotikëve nga mjedisi madje mund të rivendosë ndjeshmërinë e disa baktereve.  

Antibiotikët e rinj nuk priten së shpejti. Ekspertët pranojnë se industria farmaceutike nuk e sheh zhvillimin e këtyre barnave si fitimprurëse. Ata sugjerojnë futjen e stimujve ekonomikë për të rindezur interesin. Ndërkohë, ata po eksplorojnë rrugë të tjera për të gjetur mjete terapeutike, të tilla si terapia e fagut – viruse që mund t’i eliminojnë bakteret dhe janë testuar për infeksione të caktuara.  

Parandalimi është tejet me rëndësi, thotë González-Zorn, i cili e vë theksin tek nevoja për përmirësim të mëtejshëm në këtë fushë.

“Në Spanjë, ka një shkallë më të lartë të vetë-mjekimit në krahasim me pjesën tjetër të Evropës. Përafërsisht 5% e farmacive ofrojnë antibiotikë pa recetë. Është me rëndësi që të përshkruhen antibiotikë me përgjegjësi, jo vetëm për t’i trajtuar pacientët, por edhe për ta ruajtur efikasitetin e antibiotikëve modernë për përdorim në të ardhmen. Rritja e ndërgjegjësimit dhe përfshirja është e nevojshme”.

González-Zorn shton tutje se ecuria e kësaj krize shëndetësore do të mbështetet kryesisht në përmirësimet globale, por situata mbetet e pasigurt. “Një bakter rezistent mund të përhapet me shpejtësi dhe të shkaktojë vdekshmëri të lartë, por nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Unë besoj se thjesht do të vazhdojë të jetë një pandemi e heshtur, duke përparuar ngadalë me kalimin e kohës”./El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala