Qytetari ngrit dyshime për ‘fryrjen’ e numrit të dëshmorëve në Istog - VIDEO

Kjo hapësirë e paraparë të jetë vendvarrim i disa dëshmorëve të rënë në luftën e fundit, nuk po përurohet tash e një muaj.

Në memorialin e Vrellës ishte paraparë të rivarrosen 36 dëshmorë.

Megjithatë brenda një shoqate të familjeve të dëshmorëve janë ngritur akuza për futjen në listë të dëshmorëve edhe personat që ishin viktima civile të luftës.

Kryetari i degës së kësaj shoqate në Istog, Rrahim Shatri thotë se 13 viktima civile të luftës po tentohet t’i varrosin me dëshmorët e vërtetë.

“Na këtu për momentin jemi në kompleksin memorial të dëshmorëve, kompleksi është i gatshëm ka pasur me 12 prill të kryhet procedura e varrimit të dëshmor 137ve, i vetmi problem që nuk është krye është që nuk i kemi pranuar viktimat e luftës që gjithsej janë 13, dhe për këtë shkak nuk është bërë varrimi dhe rivarrimi i këtyre dëshmorëve”, tha Shatri.

Ai thotë se që nga viti 2008 kanë pasur presion të vazhdueshëm për ‘fryrjen’ e listës së dëshmorëve në Istog. Sipas tij deri në vitin 2008 në Istog kanë qenë vetëm 51 dëshmorë ndërsa pas këtij viti, listës së dëshmoreve i janë shtuar edhe 13 viktima civile të luftës.

“Numri i dëshmorëve është 51 dëshmorë, janë fiktive që janë dalë nga lista e TMK-së në vitin 2000, që nga viti 2000 deri në 2008 ka qenë kjo listë nga 2008 është shtuar lista prej 13 viktimave që nuk po i pranojmë na. Këto lista janë të rritura nga Komandantet Azem Veseli në bashkëpunim me kryetarin e shoqatës familjet e dëshmoreve Xhavit Jashari që nuk na e mundësinë të bahet rivarrimi i dëshmoreve me 12 prill”, tha Shatri .

Në anën tjetër, Kryetari i shoqatës ‘Familjet e Dëshmorëve” Xhavit Jashari ka thënë se janë të pavërteta dhe spekulime pretendimet se ka pasur ndikim në listat e dëshmoreve.

“Kjo është krejt e pavërtete unë nuk kam pas pozicion me ja njoftë ose me ja  mohu dikujt statusin e dëshmorit, kanë qenë komandantët e zonave që e kanë bë verifikimin ,është spekulim dhe e pavërtetë se si shoqatë kemi pas ndikim, nuk e kemi atë të drejtë, komandantet e zonave e kanë bo gati listën edhe për invalidë edhe veteranë të UÇK-së”, tha Jashari.

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe me Komandantin e brigadës 133, Azem Veselin.

Veseli tha për KALLXO.com, se 13 personat statusi i të cilëve po kontestohet janë dëshmorë që nga viti 2004, dhe se këto po bëhen vetëm për inate familjare.

“Këta 13 persona e kanë statusin e dëshmorit qe 20 vite, personat që po pretendojnë se ata nuk janë dëshmorë, nuk kanë qenë hiq ushtarë dhe nuk mund ata me vlerësu a janë kanë ushtarë a jo, këto tani po bëhen për inate familjare mes veti, listat janë të kryera prej vitit 2004. Ne nuk ua kemi dhanë statusin e dëshmoreve, ata i cakton komisioni i posaçëm, ne veç e kemi konstatuar qe janë kanë ushtar i UÇK-së, apo jo”, tha komandanti.

Sipas shoqatës përurimi i memorialit pritet të bëhet me datën 12 qershor, në ditën e çlirimit të Komunës së Istogut,  mirëpo sipas Rrahim Shatrit, ata asesi nuk do të lejojnë varrosjen e atyre 13 personave në memorialin e dëshmorëve.