Deputetët Frashër Krasniqi (VV) e Milaim Zeka (NISMA) gjatë debatit, para incidentit. Foto: Klan Kosova/Screenshot

NISMA Lëshon Deklaratë pas Incidentit Krasniqi- Zeka

NISMA për Kosovën ka lëshuar një komunikatë në të cilën dënon sulmin ndaj deputetit të saj, Milaim Zeka, nga deputeti i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi.

NISMA i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që “të distancohet nga ky akt i dhunshëm, dhe të vazhdojmë ta ruajmë kulturën e komunikimit edhe në momentet kur nuk pajtohemi”.

Krasniqi e Zeka u përleshën në studion e Klan Kosovës gjatë një debati televiziv të përcjellë me polemika e fyerje të ndërsjella.

Në një moment, Frashër Krasniqi shihet duke hedhur ujë ndaj bashkëbiseduesit në studio, Milaim Zekës, i cili iu kundërpërgjigj me të njëjtin veprim.

Pas kësaj, Frashër Krasniqi la karrigen për t’iu vërsulur Zekës në anën tjetër të tavolinës.

Pamjet e mëvonshme tregojnë se Zeka ka marrë një gërvishtje në anën e majtë të fytyrës, si pasojë e goditjes.

“NISMA për Kosovën dënon ashpër sulmin fizik ndaj Deputetit të Parlamentit të Kosovës Milaim Zeka, sulm ky i cili u krye sot nga deputeti i LVV z. Frashër Krasniqi gjatë një debati në studion televizive të Klan Kosova”, thuhet në komunikatën e NISMA-s.

“Debatet politike nuk fitohen me sulme të tilla fizike dhe e me grushte, por me forcën e argumenteve politike”, vazhdon komunikata.

NISMA thotë se deputetet e Kuvendit “janë të zgjedhur për të shprehur hapur mendimet dhe qëndrimet e tyre dhe poashtu për të debatuar për çështje tjera të ndryshme”.

“Mospajtimet janë pjesë e demokracisë, mirëpo në asnjë mënyrë ato nuk duhet të kalojnë në sulme fizike”, thuhet në deklaratë.

Vetëvendosje nuk është deklaruar ende për këtë incident.