Gjykimi i zyrtarit të ATK-së – Foto: KALLXO.com

Në gjykimin për ryshfet të inspektorit të ATK-së dëshmon kolegu i tij

Në gjykimin e inspektorit të ATK-së, Bekim Bilallit, i akuzuar për marrje ryshfeti, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Amir Bullatovci, zyrtar i Departamentit të ankesave në Administratën Tatimore.

Bullatovci gjatë detyrës së tij e kishte refuzuar ankesën e palës së dëmtuar Sherafedin Gashi, për rimbursimin mjeteve tw TVSh-sw.

Në lidhje me refuzimin e asaj ankese, dëshmitari deklaroi se ankesa ishte e pasafatshme.

“Ankesën sa më kujtohet e kemi refuzuar sepse ka qenë e drejtuar jashtë afatit për rimbursim. Ankuesi ka mund mu anku ndaj vendimit por nuk është anku”, tha dëshmitari.

Ndërsa në pyetjet e prokurores Dulina Hamiti se a ka qenë në njohuri për një takim mes Bekim Bilallit dhe Sherafedin Gashit dhe se a i ka kërkuar ryshfet Bilalli të dëmtuarit, dëshmitari tha se nuk është i informuar për ndonjë gjë të tillë.

Inspektori Bilalli akuzohet se në cilësi të personit zyrtar ka kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Sherafedin Gashi për rimbursimin e mjeteve të TVSh-së.

Seancën e drejtoi kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica, e ndihmuar nga gjyqtarët Vesel Ismaili dhe Valbona Selimi.

Në aktakuzë thuhet se inspektori fillimisht kishte kërkuar 1.000 euro për rimbursim ndërsa më vonë i ishin dukur pak dhe kishte kërkuar 5.000 euro për atë shërbim.

“Bekim Bilalli në cilësinë e personit zyrtar pranë ATK-së, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim të kundërligjshëm ka kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Sherafedin Gashi, pronar i firmës “Fresh Fruit’’, për kthimin e mjeteve të rimbursimit të TVSh, ku në shtator të vitit 2015 është takuar me të dëmtuarin Sherafedin tek kafeteria pranë ATK-së, dhe i ka kërkuar 1.000 ryshfet për t’ia kthyer mjetet e rimbursimit të TVSh, ndërsa në tetor i kishte thënë se puna e rimbursimit nuk kryhet me 1.000 euro qysh jemi marrë vesh por me 5.000 euro “, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari më pas kishte deklaruar se “nuk t’i jap 5.000 euro, paret e mija, djersën time nuk ta jap”.