Ilustrim, aeroplani Foto: Pixabay

Çfarë nënkupton sulmi nga zogjtë në aviacion dhe sa është i rrezikshëm?

Ditëve të fundit është përmendur mundësia e sulmeve nga zogjtë në aksidentin ajror të aeroplanit të “Azerbajxhani Airlines” në Kazakistan dhe atij të 29.12.2024 (e diel) në Kore të Jugut.

Sulmi nga zogjtë ndodh kryesisht kur aeroplani është në fluturim dhe ka përplasje me një apo turmë zogjsh.

Këto sulme në trafik ajror janë të zakonshme, në Mbretërinë e Bashkuar më shumë se 1,400 sulme nga zogjtë janë raportuar gjatë vitit 2022, nga të cilat vetëm rreth 100 ndikuan në aeroplanë, sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Dëmi i goditjes nga zogjtë varet nga faktorë si madhësia e zogut, shpejtësia e aeroplanit dhe vendi ku zogu godet aeroplanin.

Nëse zogjtë futen në motor, veçanërisht gjatë fazave kritike si ngritja ose ulja, mund të shkaktojë dështim të motorit. Motorët modernë të aeroplanëve janë testuar për t’i bërë ballë goditjeve të shpendëve, por tufa e madhe mund ta dëmtojë/dështojë sistemin.

Përplasja me zogj të mëdhenj mund të plasaritë ose thyejë xhamin e përparmë të kabinës, që mund të dëmtojë dukshmërinë.

Nëse zogjtë godasin sipërfaqet e kontrollit të avionit, si krahët ose bishti, kjo mund të ndikojë në manovrim.

Profesori Doug Drury, i cili ligjëron për aviacionin në Universitetin CQ në Australi, shkroi në një artikull për The Conversation se aeroplanët e tipit Boeing kanë motorë turbofan, të cilët mund të dëmtohen rëndë nga  përplasje/goditje me zogjtë.

Ai theksoi se pilotët trajnohen të jenë veçanërisht të vëmendshëm gjatë mëngjesit herët ose në perëndim të diellit, kohë kur zogjtë janë më aktivë.

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) raporton se nga viti 1912 deri më sot, janë regjistruar afërsisht 30 aksidente me fatalitet që i atribuohen drejtpërdrejt goditjeve të shpendëve.

Përderisa shumë goditje zogjsh ndodhin çdo vit (mbi 14,000 raportohen çdo vit vetëm në SHBA, sipas FAA), shumica dërrmuese rezultojnë në dëmtime të vogla ose pa ndikim të rëndësishëm në sigurinë e fluturimit. /BBC

Përgatiti: Ardita Zeqiri – KALLXO.com